Alarm në Prishtinë: Bërlloku pushton rrugët, Prokuroria nis hetimet

Alarm në Prishtinë: Bërlloku pushton rrugët, Prokuroria nis hetimet

16:23, 19/05/2025

Prokuroria e Kosovës ka nisur hetime ndaj krizës së mbeturinave në kryeqytet, duke e trajtuar atë si vepër penale – “Ndotje, degradim ose shkatërrim i mjedisit”.


Situata alarmante me mosmenaxhimin e mbeturinave urbane në Prishtinë ka marrë dimension të ri – atë penal. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të mbledhë informata dhe prova lidhur me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe pasojat që janë krijuar si rezultat i grumbullimit të pakontrolluar të tyre nëpër rrugët e qytetit

Në njoftimin zyrtar, theksohet se Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore, ka urdhëruar njësinë për hetimin e krimeve mjedisore që të ndërmarrë veprimet e nevojshme sipas nenit 338 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që parasheh ndëshkime për ndotjen apo shkatërrimin e mjedisit.

  • IKSHPK paralajmëron për rrezik epidemik

Kriza me mbeturinat ka nxitur edhe reagimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), i cili ka paralajmëruar se situata po e kërcënon seriozisht shëndetin publik.

“Konternerët tejmbushur dhe hedhja e pakontrolluar e mbeturinave kanë krijuar një mjedis të përshtatshëm për përhapjen e baktereve dhe parazitëve”, njofton IKSHPK, duke theksuar rrezikun për sëmundje infektive si dizenteria, hepatiti A dhe kolera.

  • Punëtorët protestojnë: “Paguaje borxhin!”

Në sfondin e kësaj krize, punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” kanë dalë në protestë. Ata fajësojnë Komunën e Prishtinës për borxhin prej 2.7 milionë euro, që sipas tyre, e ka pamundësuar vazhdimin e shërbimeve.

“Paguaje borxhin o borxhli i keq”, “Mos bëj politikë me dështimin tënd”, dhe “Na lë të punojmë”, ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.

  • Komuna premton zgjidhje emergjente

Në përpjekje për ta zbutur situatën, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka deklaruar se komuna është e gatshme të nënshkruajë një kontratë emergjente prej 1.5 milionë euro për punë shtesë.

Ai shtoi se “Pastrimi” do të angazhohet në mbulimin e 1/3 të territorit të Prishtinës, nëse krijohen kushtet teknike dhe financiare për rritjen e kapacitetit operativ. Komuna është e gatshme gjithashtu të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për të diskutuar subvencionimin e pagave për punëtorët./Syri Ksovoa

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco