ShSAShJ me një mori kërkesash për MPJD-në

ShSAShJ me një mori kërkesash për MPJD-në

15:02, 14/05/2025

Fatmir Haxholli, kryetar i ri i Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (ShSAShJ), i ka dërguar një letër të hapur Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, Ilir Muçaj.

Në këtë letër, Haxholli ka shfaqur shqetësimet dhe pritshmëritë e shoqatës lidhur me avancimin e proceseve profesionale dhe administrative brenda institucionit.

Shoqata pret përmirësim të ndjeshëm të kushteve të punës, avancim të merituar dhe trajtim të barabartë për të gjithë anëtarët e Shërbimit të Jashtëm – si brenda Ministrisë, ashtu edhe në misionet diplomatike/konsullore.

Në mesin e kërkesave është edhe hartimi dhe shpallja e një liste vjetore të vendeve të lira, si brenda ashtu edhe në misionet diplomatike, pastaj identifikimin e nevojave për gradime dhe pozita drejtuese, “duke siguruar që vendimet për sistemime të përkohshme të mos i paraprijnë konkurseve të brendshme”.

Kërkesë tjetër është edhe përmirësimi i menaxhimit të burimeve njerëzore, përmes rotacionit të planifikuar, transferimeve transparente dhe respektimit të dinjitetit profesional dhe familjar të personelit dhe anëtarëve të MPJD-së.

“Ky proces të përfshijë një periudhë njoftimi dhe tranzicioni prej 3–6 muajsh”, thotë Haxholli nga ShSAShJ.

Pastaj, kërkohet edhe respektimi i ligjshmërisë dhe zbatimi i vendimeve ligjore, në rastet kur anëtarët e MPJD-së kanë paraqitur ankesa apo pretendime për shkelje të të drejtave apo rregullatives institucionale.

Ndërsa si kërkesë e fundit është edhe rishikimi i koeficientit dhe i pagave për diplomatët, në përputhje me kompleksitetin, ngarkesën dhe përgjegjësitë e funksionit diplomatik, si dhe në krahasim me standardet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Përmirësimi i trajtimit financiar është domosdoshmëri për të ruajtur motivimin dhe për të garantuar cilësi të lartë në përfaqësimin shtetëror. Shqyrtimin e mundësisë ligjore që diplomatët që shërbejnë brenda MPJD-së, të kompensohen sipas parimit afirmativ, gradës dhe/apo pozitës në varësi nga shuma më e lartë respektive”, u tha në këtë letër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco