Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike, Andi Mustafaj, gjatë një interviste në studion e “Kafe Shqeto”, komentoi zhvillimet më të fundit pas përfundimit të procesit të votimit dhe vijimin e numërimit të votave.
Ai deklaroi se procesi mbetet ende në zhvillim dhe se prioriteti kryesor për PD-në në këtë moment është mbarëvajtja dhe integriteti i numërimit të votave.
Mustafaj denoncoi presionin e madh që, sipas tij, është ushtruar ndaj komisionerëve të opozitës nga strukturat e administratës, duke e cilësuar këtë si pjesë të një propagande të organizuar që synon t’i çkurajojë ata dhe të deformojë vullnetin e qytetarëve.
Ai falënderoi komisionerët e PD-së që kanë qëndruar të palëkundur në përmbushjen e detyrës së tyre, pavarësisht trysnisë së madhe që u është bërë. Mustafaj tha se këta individë kanë treguar integritet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm në mbrojtje të votës së lirë dhe u shpreh i bindur se koha do të tregojë rëndësinë që ka pasur qëndrimi i tyre në këtë proces.
Në fund të fjalës së tij, Mustafaj dha një mesazh falënderimi për të gjithë votuesit demokratë që, siç u shpreh ai, “ndonëse zgjimi është i vështirë, do të gjejnë rrugën e duhur për të ardhmen e vendit.”
Andi Mustafaj:
"Është e vështirë për t’u vlerësuar, pasi është një proces që është në zhvillim e sipër. Ne si PD në këto momente që flasim, si prioritet kryesor kemi mbarëvajtjen e procesit të numërimit.
Ka një propagandë të madhe që tenton që të ç’kurajojë komisionerët tanë, dhe ne u shprehim mirënjohjen tonë atyre që kanë qëndruar në këtë proces me një trysni të madhe të administratës, ku komisionerët tanë e kryen detyrën në mënyrë shembullore. Jam i bindur se koha do të tregojë se sa të rëndësishëm kanë qenë ata në mbrojtje të asaj vote që është hedhur.
Ne duhet të jemi sa më të angazhuar deri në përfundim të procesit, që vota të lexohet sa më qartë, të paktën ajo që është hedhur në kuti.
Duhet ta bëjmë edhe më të qartë se çfarë ka ndodhur atë ditë, pasi ne kemi parë si asnjëherë më parë, të paktën nga ana e PD, një ballafaqim dhe një ndjekje këmbë-këmbë të patronazhistëve nga gazetarët tuaj, dhe për këtë gjë i falënderoj, për rolin që kanë luajtur në këto zgjedhje.
Këta patronazhistë që kanë ikur si minj janë vetëm disa nga ata që ne kemi parë, dhe kjo kuptohet që shtrirja e kësaj trysnie dhe e këtij sistemi tashmë që është më i madh se ç’mund të mendonim secili prej nesh… tashmë të shohësh drejtoreshën e Inovacionit që ikën me kapuç, është diçka mjaft e rëndë.
Unë do të doja të ndaja pak se si u ndjeva unë kur dëgjoja atë raportin e OSBE-së. U ndjeva si tunizianët kur protestonin kundër Benalisë – europianët u thoshin të çonin policinë këtyre të fundit që të mbanin rendin. Shkurt muhabeti, jam ndjerë si vend i botës së tretë.
Kjo mungesë respekti ndaj vendit tonë më bëri të ndihem kështu, dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Aktualisht mendoj se jemi në një çmenduri kolektive, dhe këtë gjë e them me bindje të plotë – janë nga ato momentet që pas disa kohësh do themi: “Ore, si kemi pranuar ne?”
Në gjithë këto vështirësi ka ende njerëz që ngrihen, dhe unë dua t’i falënderoj sot të gjithë ata demokratë që na votuan, edhe pse zgjimi në këto kushte është i vështirë për të gjithë. Por ne do e gjejmë rrugën – dhe kjo është më e rëndësishmja".
© SYRI.net