Tajlanda po përgatitet të mirëpresë rreth 39 milionë udhëtarë në vitin 2025, duke forcuar pozicionin e saj si një nga destinacionet më të njohura të turizmit global. Me plazhet tropikale, kuzhinën e famshme dhe atraksione të reja virale si hipopotami xhuxh Moo Deng apo resortet luksoze të frymëzuara nga seriali “Lotusi i Bardhë”, vendi është në një ringritje të plotë pas pandemisë.
Por bashkë me pritjet për turistë rekord, vjen edhe një rregull i ri për të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë: Karta Dixhitale e Mbërritjes në Tajlandë (TDAC) bëhet e detyrueshme duke nisur nga 1 maji 2025. Të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në vend me rrugë ajrore, tokësore apo detare duhet të regjistrohen paraprakisht dhe të pajisen me kodin QR që do t’u kërkohet në pikën e kontrollit të imigracionit.
Sistemi i ri dixhital, që zëvendëson formularët në letër, është krijuar për të përmirësuar procedurat kufitare dhe për të rritur sigurinë përmes sinkronizimit me bazën biometrike të të dhënave të imigracionit. Regjistrimi është falas dhe duhet të bëhet brenda tre ditëve nga udhëtimi për në Tajlandë.
Përjashtime vlejnë vetëm për ata që kalojnë tranzit pa kaluar kontrollin e imigracionit.
Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, Tajlanda ka pritur 9.5 milionë vizitorë, shumë prej të cilëve tërhequr nga momentet virale dhe shfaqjet televizive që kanë kthyer vendin në një magnet të ri turistik.
Nëse po planifikoni pushimet tuaja në Tajlandë, mos harroni të bëni gjënë më të rëndësishme përpara nisjes: shkarkoni kodin tuaj QR. Ai mund të jetë bileta juaj për në parajsë – ose arsyeja pse nuk hyni fare.
© SYRI.net