Kandidati për deputet i PD, në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, ka kritikuar ashpër presionet që ushtrohen mbi të punësuarit në disa sektorë shtetërorë dhe, më tej, ka shprehur shqetësimin për përfshirjen e bizneseve private, veçanërisht atyre në sektorin minerar, në lojën politike të Rilindjes.
Në një status të ndarë në rrjetin social Facebook, Spahiu shkruan se qeveria e ardhshme e PD ofron kushte të favorshme për biznesin, si ulje të taksave dhe çmimeve të energjisë dhe naftës, duke garantuar siguri juridike dhe mbrojtje nga arbitrariteti i shtetit.
Ndërsa në një mjedis të tillë thotë kandidati për deputet, nuk ka arsye që bizneset të vazhdojnë të veprojnë nën presion politik, duke paralajmëruar se më 11 maj, jo vetëm të punësuarit, por edhe bizneset do të lirohen nga barrat e taksave të larta dhe presionit politik.
Postimi i plotë në FB:
E kuptoj presionin që u bëhet të punësuarve në disa sektorë shtetërorë, por që biznesi privat të bëjë presion për të votuar Rilindjen, këtë nuk e kuptoj dot!
Akoma më pak kuptoj pse kompanitë private në sektorin minerar përfshihen në këtë lojë?!
Kur një qeveri të ofron:
• Ulje me 50% të tatimit mbi fitimin,
• Ulje të çmimit të energjisë nga 22 lekë në 6 lekë për kilovat,
• Ulje me 40% të çmimit të naftës,
• Heqje të barrierave burokratike,
• Siguri juridike dhe mbrojtje nga arbitrariteti i shtetit,
Përse duhet të vazhdosh të bësh biznes nën presion dhe jo në një mjedis normal dhe të lirë?!
Jam plotësisht i bindur që minatorët dinë t’i bëjnë shumë mirë llogaritë – jo vetëm për përfitimet që u garanton Statusi i Minatorit, por edhe për vlerën e punës së tyre të rëndë dhe jetike.
Më 11 Maj nuk shpëtojnë vetëm të punësuarit, por edhe bizneset, nga darat e taksave të larta dhe presioni politik!

© SYRI.net