Bordi i Drejtorëve të Operator Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka shkarkuar të enjten kryeshefin ekzekutiv, Evetar Zeqirin. Por, KOSTT-i nuk ka dhënë sqarime pse ka marrë këtë vendim.
Ndërkohë, Dukagjini ka publikuar vendimin e Bordit të KOSTT-it për shkarkimin e Zeqirit.
Në arsyetim thuhet se Bordi i Drejtorëve ka shqyrtuar me kujdes gjendjen e përgjithshme të ndërmarrjes, me theks të veçantë vendimmarrjen e kryeshefit ekzekutiv për lëvizjes e personelit në pozita kyçe, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionalitetin jo të duhur të strukturave operative të ndërmarrjes.

Vendimi për shkarkimin e Evetar Zeqirit është nënshkruar nga Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve në KOSTT, Gëzim Tosuni.
Në një njoftim për media, bordi i drejtorëve të KOSTT-it ka njoftuar se ka vendosur po ashtu që Shaban Neziri të jetë ushtrues detyre deri në marrjen e një vendimi tjetër.
“Ju njoftojmë që Bordi i Drejtorëve të KOSTT sh.a në takimin e mbajtur me 24 Prill 2024, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Statutin e kompanisë, ka marrë vendim që të ndërpresë marrëdhënien e punës të Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT z.Evetar Zeqiri. Me këtë rast, Bordi ka emëruar z. Shaban Neziri, zëvendës Kryeshef Ekzekutiv, si ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT sh.a, deri në marrjen e një vendimi tjetër”, thuhet në njoftim
© SYRI.net