Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka reaguar ndaj qëndrimeve të opozitës pas zgjedhjeve, duke i cilësuar si të pakuptimta dhe të dëmshme për vendin. Në një postim në Facebook, ajo akuzon partitë humbëse për krijimin e një “aleance opozitare të bunkerizuar dhe idhnake”, që sipas saj, refuzon të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Statovci thekson se qëndrimet e opozitës nuk janë as legjitime dhe as të dobishme për Kosovën, dhe përfaqësojnë një mospajtim të qartë me vullnetin e qytetarëve.
“Të gjithë deputetët, pa dallim pozite apo opozite, duhet të jenë konstruktivë dhe të respektojnë vullnetin e shprehur të shumicës së qytetarëve”, shkruan ajo, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të institucioneve.
Ajo paralajmëron se nëse bllokimi vazhdon dhe nuk gjendet një zgjidhje për konstituimin e institucioneve, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Fituesi me 48 deputetë nuk mund të reduktohet në një zë të parëndësishëm, siç po përpiqet të bëjë kjo aleancë opozitare”, përfundon Statovci.
© SYRI.net