Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me metodën e njëjtë të furnizimit me tekste shkollore, me anë të subvencionimit të prindërve.
Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Qeveria Kurti po maltreton prindërit e nxënësit me procedura të panevojshme në vend që të sigurojë tekstet shkollore falas.
Tutje, Haradinaj thotë se Qeveria duhet të rritë pagat e mësimdhënësve, e jo merren me veprime populiste, se mos po shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale.
Reagimi i plotë i tij:
Pushteti në vend që t’i sigurojë tekstet falas, i maltreton prindërit e nxënësit me procedura të panevojshme. Modelin e ndarjes së parave për tekste shkollore e kishin provuar vitin e shkuar dhe kishin dalë të dështuar. Pse e përsërisin dështimin prapë?
Në vend që ta rrisin cilësinë në arsim e të mos mbetemi në fund të listës së PISA-s, këta sajojnë armiq imagjinarë në mesin e mësuesve e sindikatave.
Në vend që t’i rrisin pagat e mësimdhënësve, merren me veprime populiste, se mos po shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale.
Por, ato po grumbullohen përditë dhe po bëhen të papërballueshme.
Prandaj, numri i mësuesve dhe nxënësve që e kanë braktisur Kosovën, është alarmant.
Nxënësve duhet t’u sigurohen librat falas e jo t’u komplikohet jeta me procedurat e aplikimit falas!
© SYRI.net