Banorët e rrugës “Nora e Hotit” në “Dragodan” janë traumatizuar mëngjesin e së martës me shpërthimin e kanalizimit duke shkaktuar kundërmim për banoret që jetojnë në atë zonë. Si rezultat i saj, banorët shqetësohen në përhapjen e ndonjë sëmundjeje.
Nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”, kanë thënë për Ekonomia Online se pas pranimit të informatës, ekipet e saj kanë dalë në terren për të eliminuar problemin.
Azemine Hajdari, banore e kësaj lagjeje, tha për Ekonomia Online se duke marrë parasysh temperaturat e larta që janë duke mbizotëruar, banorët rrezikohen nga ndonjë kontaminim. Për këtë ajo shpreson që përgjegjësit do të ndërmarrin veprime.
“Sigurisht është duke u vërejtur edhe nga pamjet, është e dëmshme edhe çdo kujt i pengon. Besoj që ndërmarrin diçka sa më parë për të rregulluar këtë problem. Sigurisht që rrezikohemi prej ndonjë kontaminimi, besoj që ndërmarrin diçka para se të përhapet ndonjë sëmundje në këtë lagje”, tha ajo.
© SYRI.net