Osmani i bashkohet deklaratës së Biden, el-Sisit dhe Al Thanit që bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza

Osmani i bashkohet deklaratës së Biden, el-Sisit dhe Al Thanit që bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza

16:24, 09/08/2024

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar deklaratës së përbashkët të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, atij të Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi dhe atij të Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thanii, të cilët kanë bërë thirrje për armëpushim në Gaza.

Në një postim në faqen e Presidencës në platformën X, thuhet se vuajtjet e njerëzve të pafajshëm duhet të ndalen.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i bashkohet deklaratës më poshtë nga presidenti amerikan Joe Biden, ai i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi dhe ai i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thanii. Vuajtjet e njerëzve të pafajshëm duhet të ndalen!”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, tre liderët e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit që janë përfshirë në përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza, kanë deklaruar se është koha për të sjellë lehtësim të menjëhershëm si për popullin e shumëvuajtur të Gazës, ashtu edhe për pengjet dhe familjet e tyre.

“Është koha për të sjellë lehtësim të menjëhershëm si për popullin e shumëvuajtur të Gazës, ashtu edhe për pengjet e shumëvuajtur dhe familjet e tyre. Ka ardhur koha për të përfunduar marrëveshjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve dhe të arrestuarve”

“Ne të tre dhe ekipet tona kemi punuar pa u lodhur gjatë shumë muajve për të krijuar një marrëveshje kuadër që tani është në tryezë dhe kanë mbetur vetëm detajet e zbatimit për t’u përfunduar. Kjo marrëveshje bazohet në parimet e përshkruara nga Presidenti Biden më 31 maj 2024 dhe miratuar nga Rezoluta 2735 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk ka më kohë për të humbur dhe as justifikime nga asnjë palë për vonesa të mëtejshme. Është koha për të liruar pengjet, për të filluar armëpushimin dhe për të zbatuar këtë marrëveshje”, thuhet më tej në këtë deklaratë të përbashkët.

Si ndërmjetës, presidenti amerikan Joe Biden, ai i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi dhe ai i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, kanë thënë se nëse është e nevojshme janë të përgatitur të paraqesin një propozim përfundimtar lidhës që zgjidh çështjet e mbetura të zbatimit në një mënyrë që përmbush pritshmëritë e të gjitha palëve.

“Ne u kemi bërë thirrje të dyja palëve që të rifillojnë diskutimin urgjent të enjten, më 15 gusht në Doha ose Kajro për të mbyllur të gjitha boshllëqet e mbetura dhe për të filluar zbatimin e marrëveshjes pa vonesa të mëtejshme”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco