Borrell: Ballkani Perëndimor ka shansin historik për të lidhur të ardhmen me BE-në

Borrell: Ballkani Perëndimor ka shansin historik për të lidhur të ardhmen me BE-në

13:50, 01/05/2024
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, në 20 vjetorin e valës më të madhe të zgjerimit të BE-së, tha sot se puna për ribashkimin e kontinentit nuk është e plotë.
Në një deklaratë, Borrell ka thënë se Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë një dritare historike mundësish për të lidhur fuqimisht të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian.
“Njëzet vjet më parë, familja evropiane përqafoi dhjetë shtete të reja anëtare, një hap i guximshëm që ribashkoi më tej Evropën, pas dekadash ndarjesh pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte vala më e madhe e zgjerimit të BE-së. Ishte një ribashkim i një kontinenti që përpiqej për lirinë e të gjithë njerëzve, paqen, stabilitetin dhe prosperitetin.

Megjithatë, puna jonë për ribashkimin e kontinentit nuk është e plotë. E dinim përpara vitit 2022 dhe e dimë edhe më shumë sot, me luftën agresioni të Rusisë kundër Ukrainës. Vitet e kaluara miliona evropianë treguan vullnetin dhe shpresën e tyre për t’iu bashkuar projektit të BE-së. Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë një dritare historike mundësish për të lidhur fuqimisht të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian. Zgjerimi i BE-së është një politikë transformuese që rrit sigurinë, drejtësinë dhe demokracinë duke rritur standardet e jetesës së evropianëve”, thuhet në deklaratë.
Tutje deklarata thotë se nga shtetet e ardhshme që aspirojnë të jenë anëtare kërkohet të forcojnë institucionet e tyre demokratike dhe të mbështesin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
“BE dhe kandidatët bashkëpunojnë për sigurinë dhe mbrojtjen, në mënyrë që të përballemi së bashku dhe më mirë me sfidat e shumta gjeopolitike. Nga shtetet e ardhshme anëtare kërkohet të forcojnë institucionet e tyre demokratike dhe të mbështesin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
BE po punon gjithashtu për të reformuar veten, duke u përgatitur sot për Bashkimin e së nesërmes. Ne aspirojmë jo vetëm për një bashkim më të madh, por një më të fortë, të aftë për të mbështetur dhe projektuar vlerat tona të përbashkëta në mbarë botën.
Vendet kandidate dhe BE-ja kanë mundësinë historike për të ndërtuar një Bashkim Evropian më të madh, më të thellë dhe më të fortë”, thotë deklarata.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco