Fadil Hadërgjonaj lë karrierën ushtarake për t’u angazhuar në LDK

Fadil Hadërgjonaj lë karrierën ushtarake për t’u angazhuar në LDK

12:14, 01/05/2024

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se nga 1 maji pjesë e partisë së tij është edhe gjenerali Fadil Hadërgjonaj.

Në këtë postim, Abdixhiku ka publikuar një biografi të shkurtër të Hadërgjonajt.

“Gjeneral Fadil Hadërgjonaj, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. ‘Bjeshka’ siç e thërrasin shokët e luftës, është një prej figurave më të shquara e të njohura në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Fadili shkollimin e kreu në vitin 1989, në Akademinë Ushtarake të ish APJ-së, në drejtimin ‘Mbrojtja e Hapësirës Ajrore’, për të vazhduar më pas në Shkollën Komando Shtabore në vitin 2008. Ndërsa vazhdoi shkollimin në Akademinë për Mbrojtje në Britaninë e Madhe gjatë viteve 2011 – 2015. Në vitin 2018 magjistroi në Shkencat e Sigurisë në Prishtinë”, ka shkruar Abdixhiku për anëtarin më të ri të LDK-së.

 
“Gjatë karrierës së tij ushtarake, Fadil Hadërgjonaj ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj detyrave të tij, duke shërbyer në pozita të larta komanduese dhe udhëheqëse në Forcat e Armatosura të Kosovës. Ai me shumë përkushtim udhëhoqi Brigadën 138 ‘Agim Ramadani’, në vitin 1999 dhe shumë brigada tjera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu udhëhoqi Departamentin e Hulumtimeve/ Komanda e Doktrinës dhe Trajnimit në TMK; ishte shef i sektorit të Stërvitjeve dhe Ushtimeve në MFSK; dhe udhëhoqi Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjeve. Ishte Këshilltar Ushtarak; Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë si dhe Komandant i parë i Forcave Tokësore të Forcës”, ka shkruar kryetari i LDK-së.

“Fadil Hadërgjonaj për kontributin dhe shërbimin e tij të jashtëzakonshëm në karrierë morri medaljen e shërbimit dhe medaljen e karrierës nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Na priftë e mbara Gjeneral!”, ka shkruar ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco