Në pritje të faturës përfundimtare për Banjskën: Sa do t’i kushtojë Serbisë Radoiçiqi

Në pritje të faturës përfundimtare për Banjskën: Sa do t’i kushtojë Serbisë Radoiçiqi

14:03, 22/04/2024

Fakti që Macron e ka bërë të qartë se pret që sulmuesit nga Banjska të dalin para drejtësisë e vendos Vuçiqin në një pozicion për t’u përplasur me të huajt ose me kriminelët në radhët e tij. Kjo është arsyeja pse asnjë zgjidhje nuk duket e favorshme për të.

Kur presidenti francez Emmanuel Macron kohët e fundit, gjatë vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Paris, përmendi se është e rëndësishme që pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të sillen para drejtësisë, ishte e qartë se Millan Radoiçiq, mbrojtësi i vetëshpallur i serbëve të Kosovës, u bë barrë e re për Vuçiqin i cili edhe ashtu është me shpinën e përkulur.

Njeriu të cilit i është dhënë “autorizimi” nga Beogradi që të vendosur për jetë a vdekje në veri të Kosovës dhe të cilin Oliver Ivanoviq e etiketoi si kriminel nga i cili është në rrezik, u bë rrezik jo vetëm për Vuçiqin, por edhe për të gjithë Serbinë. Së paku derisa më në fund qytetarët e Serbisë e paguajnë çmimin e plotë me kamatë, në ndonjë “aranzhim shkëmbimi” të ri, të panjohur për publikun, shkruan e përjavshmja serbe “Radar”, transmeton Paparaci.

Bashkëbiseduesit e “Radarit” dëshmuan se pas Banjskës gjithçka ka ndryshuar, se për të mbetur gjithçka e njëjtë, dhe se borxhi i mëparshëm të zgjidhet duhet të zëvendësohet me një të ri, ndaj të njëjtit kreditor. Sipas tyre, procesi ndaj Radoiçiqit mbetet në një perspektivë të largët, të mjegullt dhe do të zhvillohet po aq “shpejt dhe me efikasitet” sa ai kundër Shariqit, klanit të Belivuk, Jovanjicës, gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit…

“Para Banjskës, Millan Radoiçiqi ishte afër kreut të pushtetit në Beograd, dhe pas kësaj ngjarjeje, sipas informatave që kam, rreth 20.000 njerëz u larguan nga Kosova, ndërsa kemi vetëm heshtje”, thotë për këtë të përjavshme Momir Stojanoviq, gjenerali serb në pension.

Stojanoviq i përgjigjet dyshimeve nëse Beogradi i dinte planet e Radoiçiqit në Banjskë me një kundërpyetje:

“Nëse nuk e dinin se çfarë po bënte Radoiçiqi, pse nuk po e ndjekin tani, duke pasur parasysh dëmin që është shkaktuar? Sigurisht, sepse nuk munden. Radoiçiqi është anëtar i një rrethi të ngushtë në thelbin e pushtetit, ndaj të cilit Vuçiqi nuk mund dhe nuk guxon të drejtojë asnjë sanksion, edhe nëse e gjithë Serbia dështon. Ai është në të njëjtën rang me Sinisha Malin dhe Nikolla Petroviqin dhe si i tillë është i paprekshëm”.

Stojanoviq thekson se kështu është gjithmonë kur ndiqen gjurmët e parave të diskutueshme që “sillen” rreth qeverisë aktuale.

Bashkëbiseduesi i Radarit tregon se presidenti serb po shantazhohet nga të huajt, por edhe nga kriminelët vendas.

Rezultati i rrethanave të tilla është një luftë psikologjiko-propagandistike kundër popullit të vet, e udhëhequr nga vetë qeveria.

Edhe pse Radoiçiqit po i sekuestrohen pronat në Kosovë, ku atij i ndalohet hyrja dhe nuk është parë aty që nga shtatori i vitit të kaluar dhe i është ngushtuar aftësia për të vepruar, në komunat e veriut ende digjen vetura.

Në mënyrën e tij të paturpshme, Vlladimir Gjukanoviq nga Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit së fundi ka përsëritur vlerësimin e tij në një paraqitje në televizion se vetëm Radoiçiqi mund të organizojë rezistencën e serbëve të Kosovës.

Gjatë kësaj kohe në vendkalimet kufitare arrestohen serbët e pabindur ose me urdhër të Listës Serbe përcillet çdo hap i tyre. Dhe kjo nuk fshihet prej tyre.

“Unë i njoh disa nga ata djem që më ndjekin çdo ditë dhe jam përpjekur t’u drejtohem si prind, sepse mund të jem baba për disa prej tyre”, ka thënë Radoica Radomiroviq, nga Leposaviqi, Zëvendësministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, për Radar.

Ai nënvizon se të gjithë ata djem janë “blerë” me pothuajse të njëjtat kontrata standarde për 50.000 dinarë për “punët e rregullimit të shtratit të lumit Ibër”.

Radomiroviq, ndërkaq, pohon se deri më tani vetëm në komunën e Leposaviqit janë shpenzuar rreth katër milionë euro për rregullimin e brigjeve të Ibrit në vitet e fundit dhe askush nuk ka parë asnjë ekskavator duke punuar në atë fushë.

“Njerëzit e “Brigadës së Veriut” kanë marrë donacione nga 50 milionë dinarë për projekte, të cilave nuk ka asnjë gjurmë. Të gjitha ato para i kthehen Radoiçiqit. Nëse merr 20 mijë euro, duhet t’i kthesh atij 15 mijë”, thotë ai.

“Po mundohem t’u tregoj këtyre djemve se çfarë ndodhi me ata që e ndoqën Radoiçiqin në Banjskë dhe që tani janë jashtë Kosovës dhe në telashe të mëdha. Shpresoj se nuk do të marrin dënimet me të cilat po përballen tani (dënimi minimal për terrorizëm është 15 vjet burg)”.

Ndonëse mosbindja ndaj Listës Serbe kërcënohet me zjarr vënie, arrestim apo humbje pune, Radomiroviq thekson se ndikimi i saj ka rënë në masë të madhe

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco