Bllokimi i kosovarëve nga autoritetet serbe, Bislimi njofton Lajçakun: Dëshmi s’është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve

Bllokimi i kosovarëve nga autoritetet serbe, Bislimi njofton Lajçakun: Dëshmi s’është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve

14:59, 17/04/2024

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se avancimi i djeshëm drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës ka ndezur gjuhën e urrejtjes tek politikanët serbë me veprime kundrejt qytetarëve të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Në një postim në platformën “X”, Bislimi ka shkruar se qindra gra e fëmijë prej më shumë se 13 orësh po mbahen peng nga pala serbe në kufirin me Kroacinë, dhe po merren në pyetje, ku u janë konfiskuar edhe dokumentet personale.

“Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia e pastër, kulmuan me avancimin e djeshëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mrekullueshëm, fatkeqësisht ndezi gjuhën e urrejtjes nga politikanët serbë, por edhe veprime të drejtpërdrejta kundër qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, gra e fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh, mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe”, shkruan Bislimi.

Lidhur me këtë, Bislimi ka thënë se ka njoftuar edhe emisarin evropian, Miroslav Lajçak.

Sipas tij kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE.

Bislimi thotë se akti i tillë dëshmon rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të agresionit.

“Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar Bislimi në “X”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco