Vrasja e 43-vjeçares në Pejë, nis takimi i këshillit ndërministror

Vrasja e 43-vjeçares në Pejë, nis takimi i këshillit ndërministror

13:35, 16/04/2024

Ka nisur takimi i këshillit ndërministror i thirrur nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas vrasjes së gruas në Pejë nga burri i saj.

Ky takim po mbahet i mbyllur për media, ndërsa pas tij do të mblidhen edhe krerët e institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë.

Vrasja në Pejë ka ndodhur vetëm katër ditë nga vrasja në Ferizaj, ku po ashtu u vra një grua nga ish-bashkëshorti i saj.

Ministrja Haxhiu në nisje të takimit ka thënë se do të angazhohet për përmirësimin e gjendjes duke pasur parasysh se është edhe koordinatore për dhunën në familje dhe në baza gjinore.

Haxhiu po zhvillon këtë takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryesuesin e Këshillave, kryeprokurorin dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Haxhiu pas rastit të vrasjes në Pejë tha se situata është bërë alarmante.

“Në mëngjesin e sotëm edhe një grua u vra nga burri në Pejë, vetëm 4 ditë nga vrasja e një gruaje po ashtu nga burri në Ferizaj. Kjo është shumë e rëndë. Është tronditëse. Është dhimbje e madhe. Është e patolerueshme. Për këtë gjë sot kam ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjerër edhe mbledhjen e grupit ndërministror”, tha ajo.

Ajo tha se dhunuesit shpesherë kanë kryer vrasje për shkak të mosndëshkimit adekuat.

“Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene. Pavarësisht përkushtimit, masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë. Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”, tha ajo.

Haxhiu tutje e ka quajtur fenomen vrasjen e grave nga burrat, duke theksuar se shteti nuk do ta tolerojë asnjë lloj dhune të burrit ndaj grave.

“Vrasjet ndaj grave në Republikën e Kosovës janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim. Nuk mund të presim emancipimin e askujt derisa të bëhen të vetëdijshëm për barazinë mes burrit dhe gruas. Asnjë qytetar nuk është mbi dikë tjetër, askush nuk është pronë e askujt. Gruaja dhe burri janë të barabartë. Dhe si shtet nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune të burrit ndaj gruas”, tha ajo.

Sot, një grua 43-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili ishte dënuar më parë për dhunë në familje.

Tani të tre fëmijët e tyre janë në kujdesin e familjarëve të tyre ndërsa i dyshuari është në mbajtje për 48 orë.

Prokurori e ka cilësuar vrasjen si makabre, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk ka dhënë më shumë detaje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco