Përfundojnë punimet e Komitetit për Kosovën në KiE, s’kalojnë amendamentet e Serbisë dhe ajo për Asociacionin

Përfundojnë punimet e Komitetit për Kosovën në KiE, s’kalojnë amendamentet e Serbisë dhe ajo për Asociacionin

12:22, 16/04/2024

Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rrëzuar amendamentin e deputetëve serbë përmes të cilit kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për pranimin e Kosovës në KiE, derisa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, raportojnë mediat serbe.

Po ashtu, është rrëzuar edhe amendamenti i propozuar nga deputetët italianë të cilët kanë propozuar që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.

Këtë të martë, Kosova mund të jetë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, meqë Asambleja Parlamentare do ta shqyrtojë raportin e raportueses për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Dora Bakoyannis.

Por, do të duhen 2/3 e votave të deputetëve të 46 shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës të organizatës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Votimi i 27 marsit erdhi edhe pas një zotimi që krerët institucional të shtetit i kishin dhënë diplomates greke lidhur me opinionin e saj.

Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti ishin zotuar se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco