Krasniqi e përsërit thirrjen për zgjedhje të parakohshme: Gara kryesore do të jetë mes PDK-së e Vetëvendosjes

Krasniqi e përsërit thirrjen për zgjedhje të parakohshme: Gara kryesore do të jetë mes PDK-së e Vetëvendosjes

11:14, 12/04/2024

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur i bindur se gara për vendin e parë në zgjedhjet nacionale do të jetë mes Vetëvendosjes dhe PDK-së.

“Për vendin  dytë dhe të parë do të luftojnë PDK dhe Vetëvendosje. Kjo është e vërteta. Me gjithë respektin për partitë tjera gara do të jetë mes PDK-së dhe LVV-së sepse jam i bindur që ditën që do të shpallen zgjedhjet do të jenë ditët e fundit të numërimit mbrapsht për Albin Kurtin si kryeministër. Nuk besoj që Kurti më mund të jetë kryeministër. Nuk e di as me kë mund të bëjë koalicion”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se thirrja e tij për të shkuar në zgjedhje vazhdon të jetë më e zëshme se kurrë. Ai tha se është i gatshëm të diskutojë edhe ndonjë datë tjetër, përpos asaj të 9 qershorit, që PDK e ka propozuar si datë për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Megjithatë, ai tha se qershori është muaji më i mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Ne kemi treguar se modeli ynë qeverisës në nivelin lokal është modeli që kryen punë dhe ju shërben qytetarëve dhe e mban fjalën. Këtë model do t’ia ofrojmë qytetarëve për nivelin nacional. Unë ju siguroj ne kërkojmë zgjedhje sepse vesojmë se është domosdoshmëri. Kosova ka nevojë për zgjedhje, qytetarët duhet të kthehen te kutitë e votimit. Kjo qeveri ka ardhur me një shumicë të madhe parlamentare në zgjedhje me 50 përqind, sot meqenëse i përmendëm sondazhet me të gjitha rezervat që i kemi ndaj tyre, shumica e njerëzve sot nuk janë me këtë qeveri, pavarësisht me cilat parti janë. Nëse ju besojmë sondazheve, ftesa ime ka qenë qe një vjet, sot është edhe më e zëshme. Po shkojmë në zgjedhje. Jam, i gatshëm për datën. Nëse data 9 qershor nuk ju përshtatet jam i gatshëm ta bëjmë me 2 qershor, por edhe në fundin e majit”, tha Krasniqi në Rtv 21.

Ai u shpreh i bindur se kryeministri i radhës i Kosovës, do të jetë Bedri Hamza. “Unë jam i bindur që kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të jetë Bedri Hamza”, tha Krasniqi.

Sipas të dhënave të sondazhit  të “UBO Consulting” Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë forca e parë politike në Kosovë. Madje, partia e kryeministrit Albin Kurti në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë në përqindje duke shkuar në 49.5%.

PDK-ja vazhdon të pozicionohet e dyta në renditje, sipas UBO Consulting, duke rënë pak, me 17.1 për qind.

Ndërsa LDK-ja, sipas sondazhit, në tre muajt e fundit ka rënien pak më të madhe dhe duke rezultuar në 16 për qind, duke u renditur kështu si forca e tretë politike në Kosovë, me trendin më të madh të rënies në muajt e fundit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco