Takimi për dinarin, Bislimi: Ne u pajtuam me propozimin e Lajçakut, Serbia kërkoi kohë shtesë

Takimi për dinarin, Bislimi: Ne u pajtuam me propozimin e Lajçakut, Serbia kërkoi kohë shtesë

14:31, 04/04/2024

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas dështimit të gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e dinarit në takimin e përbashkët me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq me ndërmjetësimin e të deleguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak në Bruksel, ka thënë se pala kosovare është pajtuar me propozimin e emisarit të BE-së, sa i përket çështjes së dinarit, por pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.

“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerrë një propozim të konsoliduar për të cilën ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve serb në Kosovë. Pala serbe nuk ka qenë e gatshme të reflektojë këtë propozim dhe ka kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve në Bruksel”, ka deklaruar Bislimi, siç raporton RTK.

Bislimi tutje ka thënë se takimi i sotëm është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, ndërkaq ka shtuar se pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk ka pasur kompetenca në vendimmarrje.

Ai tutje ka thënë se derisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si serbët e Kosovës mund ta marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokat i Bankës Kursimore të Postës serbe.

“Atyre iu është bërë e qartë që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis. Edhe sot kemi pasur dallime të mëdha, përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia. Pala serbe ka funksionuar si avokate e ‘Postanska bankës’ dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetente, as në interes të palëve të involvuara”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka paralajmëruar se takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve në Bruksel, ndërkaq për këtë të sotmin ka thënë se s’është diskutuar për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, sepse “nuk ka diskutim për të”.

“Ky takim nuk ka qenë as i fundit, as i pari për dinarin. Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Rregullorja nuk e përmend dinarin, rrjedhimisht nuk ka as diskutime për të”, ka deklaruar ai para mediave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco