Gazeta zvicerane: Posti i ri i Lajçak shënon rënie në karrierën e tij

Gazeta zvicerane: Posti i ri i Lajçak shënon rënie në karrierën e tij

09:06, 04/04/2024

Brukseli e dërgon Miroslav Lajçakun në Bernë.

Gazeta zvicerane, Tages-Anzeiger ka shkruar për këtë duke e quajtur “rënie në karrierë”, në një artikull të publikuar të martën, me autor gazetarin Stephan Israel.

Miroslav Lajçak, përfaqësues special për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë ambasadori i ri i Bashkimit Europian në Zvicër nga 1 shtatori.

Sllovaku Miroslav Lajçak deri më tani ka pasur vetëm disa pika kontakti me dosjen zvicerane, por kjo mund të jetë një avantazh në një fillim të ri si ai që po zhvillohet aktualisht midis Zvicrës dhe BE-së, shkruan gazeta zvicerane, duke shkruar se ai do ta pasojë grekun Petros Mavromichalis, i cili do të rikthehet në Bruksel pas katër vitesh në këtë post.

Për sllovakun, kalimi në Bernë është më shumë një rënie e karrierës. 61-vjeçari kohët e fundit madje u diskutua si një pasardhës i mundshëm i Përfaqësuesit të Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, shkruan Tages-Anzeiger.

Lajçak studioi në një shkollë trajnimi në Moskë përpara rënies së Murit të Berlinit. Më vonë ai shërbeu si ministër i jashtëm në disa qeveri të Robert Ficos, i cili aktualisht është kthyer në pushtet në Bratislavë me partinë e tij nacionaliste të krahut të majtë Smer. Lajçak nuk është vetë anëtar partie, por afërsia e tij me mikun e Putinit, Robert Fico, aktualisht nuk është e favorshme për një karrierë në Bruksel.

"Mandati i tij si përfaqësues special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës përfundon në vjeshtë. Josep Borrell e emëroi sllovakun në detyrën prestigjioze në vitin 2020. Por pas katër vitesh, bilanci është negativ. Lajçak duhej të sillte normalizimin midis Serbisë dhe Kosovës, por marrëdhëniet vetëm janë përkeqësuar nën kujdesin e tij dhe tensionet janë rritur së fundmi në mënyrë të rrezikshme. Qeveria në Prishtinë nuk gabon plotësisht që e akuzon përfaqësuesin special se është i njëanshëm në favor të Beogradit. Sllovakia është një nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën," shkruan gazeta zvicerane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco