'Reporterët pa kufij' diskutojnë me gazetarët shqiptarë mbi të drejtën e informimit

'Reporterët pa kufij' diskutojnë me gazetarët shqiptarë mbi të drejtën e informimit

08:10, 04/04/2024

Organizata “Reporterë pa Kufij” e cilëson Shqipërinë si një vend strategjik për të drejtën e informimit në Europë.

Përfaqësues të saj diskutuan në Tiranë në një konferencë me gazetarët shqiptarë mbi vështirësitë e punës së tyre, lirinë e shtypit dhe për të drejtën e informimit.

Shqetësimet kryesore mbeten përqëndrimi i pronësisë së mediave, presionet e politikës mbi pronarët dhe gazetarët e terrenit.

Në tryezën e diskutimit me kolegët shqiptarë, përfaqësuesi i Organizatës “Reporterë pa Kufij", Antoine Bernard, tha se Shqipëria nuk ka asnjë përmirësim domethënës me lirinë e shtypit qysh nga viti 2022, kur ekspertë të saj ishin në Tiranë.

Ajo mbetet e fundit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Indeksin e Lirisë së Shtypit të RSF-së për vitin 2023, e renditur 96 mes 180 vendeve.

“Media shqiptare mbetet e dobët përballë presioneve politike dhe ekonomike, ndërsa siguria e gazetarëve shqiptarë është në rrezik”, tha zoti Bernard.

Ai tha se sfida të vërteta janë mbikëqyrja arbitrare, lajmet e rreme, propaganda, disinformimi i prodhuar në platformat digjitale, inteligjenca artificiale, manipulimi i lajmeve zgjedhore edhe përmes ndërhyrjeve dashakeqe, si në Sllovaki.

“Të gjitha këto, në këto kohë sfiduese për demokracitë dhe mediat, kur shohim sulmin rus mbi Ukrainën dhe përpjekjet për ta çrrënjosur gazetarinë brenda Rusisë, ne kuptojmë - tha zoti Bernard, - se pse Shqipëria është një vend strategjik për të drejtën e informimit në Europë”.

Ai tha se procesi i integrimit të saj në BE është një mundësi e rrallë për të mbrojtur lirinë e medias dhe gazetarisë në Shqipëri, ku ka angazhime që kanë të bëjnë me transparencën mbi pronësinë, fonde të pavarura për mediat publike, mbrojtje të pavarësisë editoriale, mbrojtje të gazetarëve.

“Sa më shumë të integrohet Shqipëria në BE aq më shumë duhet kujtojë se Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë vetëm për qëndrueshmëri, por edhe zbatim të ligjit, sepse vetëm mbizotërimi i ligjit do të sjellë qëndrueshmëri dhe kushte për lirinë e medias”, tha zoti Bernard.

Ai shtoi se 11 media shqiptare i janë bashkuar Nismës JTI (Journalism Trust Initiative), krahas një mijë e 400 media të tjera nga 85 shtete.

Presioni politik mbi mediat, problemet me pronësinë e mediave janë për gazetarët çështje kryesore që shkaktojnë vetcensurën e tyre, madje edhe kërcënimet e drejtpërdrejta mbi ta.

Gazetarja e lajmeve të kriminalitetit, Klodiana Lala, autore e programit “Në Shënjestër” në TV News24, thotë për Zërin e Amerikës se përballë kërcënimeve të ndryshme, gazetarët shqiptarë duhet të mbështesin njëri tjetrin dhe të mos tolerojnë me parimet profesionale, duke rënë në vetëcensurë.

“Sa herë një gazetar prek një çështje të caktuar dhe prek interesa të caktuara, e gjen veten të vendosur në qendër të një fushate denigruese dhe shpifjesh. Pastaj ai befas sheh se përballë kësaj fushate denigruese nuk ka solidaritet nga kolegët. Kjo duhet të ndryshojë dhe gazetarët duhet të mbështetin njëri tjetrin në vështirësi, të cilat vijnë për shkak të profesionit, se ndryshe e kanë të vështirë ta realizojnë misionin e tyre të informimit ndaj qytetarëve”, tha zonja Lala.

Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasador Silvio Gonzato, e vuri theksin tek mbrojtja e gazetarisë cilësore dhe e vet gazetarëve mbetet një sfidë kryesore për Shqipërinë, krahas organizimit të tregut të mediave në mënyrë që të sigurojë gazetari të pavarur.

“Në Raportin e Progresit të vitit 2023 për Shipërinë ne theksuam disa shqetësime: ndërthurrjet mes interesave të mediave, biznessit dhe politikës, e cila është një situatë e papërshtatshme, po ashtu si përqëndrimi i lartë të pronësisë së mediave, i cili dëmton cilësinë dhe pavarësinë e gazetarisë. Ne kemi kërkuar të përmirësohen kushtet e tregut të punës për gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave, të cilat përbëjnë një çështje thelbësore në Shqipëri. Ndërsa kërcënimet frikësimet e përsëritura dhe dhuna kundër gazetarëve nuk duhet të ekzistojnë në një vend demokratik”, tha amb Gonzato.

Gazetarja Ola Xama, e njohur sa për shkrimet e thelluara mbi ekonominë aq sa edhe për presionet që i bëhen pas publikimit të investigimeve të saj, thotë për Zërin e Amerikës se gazetaria në Shqipëri është profesion më i vështirë se më parë, kur falë internetit, sulmet janë të gjithë llojeve.

“Në Shqipëri, kur futesh në gazetari duhet të gjesh një balancë dhe pakt me veten: që ti do të sulmohesh, që ti edhe mund të rrihesh, siç ka raste të kolegëve, ti mund të kërcënohesh dhe mund të mbetesh edhe pa punë. Por ne duhet të mbajmë fort profesionin e gazetarit për të çuar tek publiku padrejtësitë që u bëhen qytetarëve edhe neve. Nëse tërhiqemi edhe ne, atëherë nuk ka kush të shkruajë për njerëzit dhe për vet ne”, tha zonja Xama.

Drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, e vuri theksin në një koment për Zërin e Amerikës tek transparenca financiare e mediave.

“Ka para që lëvizin nga institucionet tek mediat dhe nga bizneset tek mediat, të cilat nuk janë transparente. Sidomos transparenca mbi paratë e institucioneve është e domosdoshme. Kjo transparencë do ta ndihmojë shumë edhe llogaridhënien e institucioneve edhe të mediave”, tha zoti Cukali.

Në tryezën e rrumbullakët të Organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), Forumi për Informacion dhe Demokraci në bashkëpunim me Këshillin Shqiptar të Medias, u diskutua gjatë edhe për rregullime ligjore demokratike në klimën e sotme digjitale, në mënyrë që, që siç u tha nga oratorët, teknologjia të mos e mposhtë demokracinë, por ta ndihmojë në përpjekjet për liri të shtypit dhe të drejtën e informimit në Shqipëri. /VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco