'Shpejt vjen dita e dilni para popullit', 'kërcasin' reagimet ndaj deklaratës së Liburn Aliut

'Shpejt vjen dita e dilni para popullit', 'kërcasin' reagimet ndaj deklaratës së Liburn Aliut

12:55, 26/05/2023 Nga Sh.A

Një deklaratë e ministrit Liburn Aliu për autostradën e Dukagjinit, ka ngjallë reagime të ashpra nga opozita, shkruan Syri.net Kosova

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se nuk do të ketë autostradë të Dukagjinit, por vetëm zgjerim të rrugës.

“Tash jemi duke punuar intensivisht, mungesat, problemet e vitit 2022, janë duke u rikuperuar, dhe besoj që kjo është situata. Nuk mund të bëjmë më tepër për pjesën e Dukagjinit, përpos që kemi filluar projektin e zgjerimit të rrugës nga Istogu, përpos që mund ta bëjmë rrugën e Pejës, që të punojmë për pjesën e Gjakovës…nuk do të ketë autostradë, do të ketë zgjerim të rrugës”, tha ministri në Tëvë 1.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka përgjigjur ashpër ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ka një porosi qeverinë e re, e cila sipas tij përveç që nuk hapi projekte të reja, i bllokoi edhe ato ekzistuese, përcjell Syri.net Kosova

“E unë e kam një porosi për ta. Po, autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo ju të ikni nga pushteti. Shpresoj shumë shpejt!”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

Haradinaj tha s ky projekt i filluar nga ai ka mbetur në gjysmë për shkak të ndërprerjes së mandatit në gjysmë, por shtoi se do të realizohet.

“Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo të ikni ju nga pushteti.

Kur ishte vendosur të merrte udhë projekti i autostradës së Dukagjinit si një investim strategjik, meqenëse do ta lidhte pothuaj një të tretën e territorit të Kosovës me pjesën tjetër, pati filluar një fushatë e egër e Vetëvendosjes kundër meje, me arsyetimin se nuk duhej të shpenzoheshin paratë në asfalt.

Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua, sepse qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese.

Sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake.

Sikur kjo të bëhej me qëllim të rritjes së mirëqenies së popullit, në këto dy vjet të një krize globale ekonomike, edhe do ta kishte një derë, por për fat të keq nuk ka ndodhur as kjo”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i AAK-së, e ka akuzuar qeverisjen aktuale edhe për mungesën e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, pagat e pensionet e ulëta, rritjen e tatimit në pronë, rritjen e çmimit të energjisë e artikuj tjerë jetësor.

“Sot, Kosova e ka mesataren e pagave më të ulët në rajon, pensionet më të ulta, paga minimale më e ulta në kontinent, ndërkohë që tatimi në pronë është rritur dy e trefish, energjia është rritur të paktën dy herë e të mos flasim për rritjen e çmimeve të artikujve elementarë, apo të inflacionit i cili ka qenë më i larti në këto 20 vjet.

Sikur të mos u mjaftonte kjo, qeveritarët e rinj u janë turrur edhe mjeteve vetanake të komunave dhe donë me i marrë edhe ato! Ose kanë fytyrë e deklarojnë se do të ketë harrnime e zgjerime dhe prapë lidhen të Autostrada e Dukagjinit dhe thonë se ajo nuk do të ndërtohet”, ka shkruar Haradinaj.

Keq nuk e la as vëllai i Ramushit, Dauti.

Daut Haradinaj i AAK, ka reaguar pas deklarimeve të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se nuk do të ketë autostradë.

Sipas Haradinajt, një gjë e tillë është injorim, thuajse kjo zonë nuk është Kosovë.

“Sot rrugës për Dukagjin, më saktësisht për në Deçan, u desht 1 orë e 45 minuta për të bërë rrugë, pasi që i mungon infrastruktura e nevojshme kësaj ane. Qeveria deklaroi se rreth 600 mijë qytetarë nuk do të kenë autostradë. A thua kjo zonë nuk është Kosovë, apo nuk janë taksapagues të Kosovës. Pse i ndëshkoni këta njerëz!?

Shumë shpejt do të vie dita të dilni para popullit dhe shpresoj që do t'iu përgjigjen ashtu siç po i trajtoni. Dukagjini nuk e duron injorimin tuaj z. Ministër!”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Edhe deputeti i LDK, Besian Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka komentuar rrugën e Dukagjinit, e cila është anuluar, raporton Syri.net Kosova.

Mustafa përmend edhe rrugën e Llapit që është me vonesë e ku në këto dy rrugë ndodhin aksidente të shumta e ai thotë se pushteti vazhdon të mburret që nuk po punon asgjë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco