Eksperti amerikan për ujdinë në Ohër: Do të ishte absurde që BE-ja të kufizohej në monitorim, i duhet edhe ndihma e SHBA-së

Eksperti amerikan për ujdinë në Ohër: Do të ishte absurde që BE-ja të kufizohej në monitorim, i duhet edhe ndihma e SHBA-së

07:27, 27/03/2023
Marrëveshja e fundit e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë në Ohër, për ekspertin amerikan, Alon Ben Meir, paraqet një zhvillim pozitiv në procesin e normalizimit në mes të dy vendeve.
Megjithatë, sipas tij, ka shumë pengesa dhe një numër të konsiderueshëm paqartësish që do ta bëjë të vështirë zbatimin e plotë të planit evropian.
Ben Meir ka thënë se optimizmi i shprehur nga i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak, se marrëveshja e re e arritur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës paraqet një “pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, mund të jetë i mbivlerësuar.
“Të sugjerosh që marrëveshja përfaqëson “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia, siç tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është më tepër mendim i dëshiruar. BE-ja dhe SHBA-ja mund të zbusin shumë nga pengesat, me kusht që ta bëjnë të marrë masa specifike për të përfshirë ligjshmërinë në marrëveshje nga njëra anë dhe të artikulojë qartë se çfarë përfitimi mund të nxjerrin Kosova dhe Serbia nga zbatimi i marrëveshjes dhe cilat do të jenë pasojat nëse nuk e bëjnë këtë”, ka thënë ai.
Ben Meir thotë se pengesat që do të hasin të dy palët përfshijnë: përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të penguar Serbinë nga krijimi i lidhjeve të forta me Perëndimin, ndërkohë që kërkon të destabilizojë Ballkanin, angazhimi i fortë i Vuçiqit për të ruajtur lidhjet e ngushta të Serbisë me aleatin e saj sllav, Rusinë, dëshira e tij për të kënaqur grupet e ekstremit të djathtë në vendin e tij, të cilat e shohin Kosovën si djepin e shtetit serb dhe të fesë ortodokse, mungesa e qartësisë se si të sigurohet një nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mungesa e një mekanizmi të qartë dhe të zbatueshëm për të zbatuar dispozitat e ndryshme të marrëveshjes në kohën e duhur.
Ai ka thënë se nëse marrëveshja mbetet jo ligjërisht e obligueshme, për shkak të faktit se nuk është nënshkruar, çdo qeveri e njëpasnjëshme qoftë në Kosovë apo në Serbi mund t’i shohin disa dispozita të marrëveshjes si kundërproduktive ose në kundërshtim me objektivat e tyre politike dhe nuk do ta respektojnë domosdoshmërisht atë.
Megjithatë, eksperti amerikan potencoi se meqenëse zbatimi i marrëveshjes në masë të madhe varet nga vullneti i mirë Kosovës dhe i Serbisë për ta zbatuar atë me besnikëri, i mbetet BE-së që të ushtrojë presion të vazhdueshëm mbi të dyja palët për të përmbushur obligimet e tyre.
“Kjo do të jetë e vështirë nëse BE-ja nuk punon me SHBA-në për të forcuar marrëveshjen dhe për të vënë në tryezë me qartësi “shkopin dhe karotat” nëse njëra ose të dyja palët dështojnë të përmbushin pjesën e tyre të marrëveshjes”.
Legjitimimi i marrëveshjes
Për të filluar, është jashtëzakonisht e rëndësishme që SHBA-ja të mbështesë plotësisht marrëveshjen dhe të përdorë peshën e saj për të siguruar që aplikimet e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare duke përfshirë OKB-në janë pranuar, thotë Ben Meir.
Siç theksoi ai, do të ishte absurde që BE të kufizohej në monitorim.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco