Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sërish lidhur me refuzimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për nënshkrimin e Marrëveshjes.
Në një postim në Twitter, kreu i ekzekutivit thotë se Vuçiqi refuzoi ofertën e tij, siç e quan ai bujare për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë.
“Pas refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe para se të refuzonte përsëri nënshkrimin e saj me Aneksin e 18 Marsit, Presidenti i Serbisë refuzoi ofertën time bujare të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë, në një Asociacion që unë do ta hartoja dhe propozoja”, ka shkruar Kurti.
Tutje, kryeministri i vendit ironizoi me Vuçiqin për marrëveshjen mes dy vendeve.
“A është ai Doktor “Jo”-ka, ose “Z. Nyet”?, Epo, ne e dimë që ai nuk është një doktor”, shkroi Kurti në Twitter.
After refusing to sign the Feb. 27 Agreement & before refusing again to sign it w/ the Mar. 18 Annex, Serbia's President declined my generous offer of self-management for 🇽🇰Serbs, in an association that I'd draft & propose. Is he Dr No or Mr Nyet? Well, we know he’s not a doctor.
— Albin Kurti (@albinkurti) March 21, 2023
Por, çfarë do të thotë emërtimi “Z.Nyet”
Andrei Andreyevich Gromyko ishte një politikan dhe diplomat komunist sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.
Ai shërbeu si Ministër i Punëve të Jashtme (1957-1985) dhe si Kryetar i Presidiumit të Sovjetit Suprem (1985-1988).
Gromyko ishte përgjegjës për shumë vendime kryesore mbi politikën e jashtme sovjetike derisa u tërhoq në vitin 1988.
Në vitet 1940, ekspertët perëndimorë e quanin atë Z. Nyet (“Z. Jo”) ose “Grim Grom”, për shkak të përdorimit të shpeshtë të vetos sovjetike në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkaq, Ambasadori i ShbA-së në Beograd, Christopher Hill ka thënë sot se Marrëveshja e arritur mes Serbisë dhe Kosovës në Ohër është ligjërisht e detyrueshme dhe pa nënshkrim.
Hill ka treguar se një nga elementët kyç të marrëveshjes është se detyrimet e të dyja palëve janë pjesë e procesit të integrimit evropian.
Në anën tjetër, Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
© SYRI.net