Pushohet nga puna edukatorja që goditi me shuplakë 5-vjeçarin në çerdhe

Pushohet nga puna edukatorja që goditi me shuplakë 5-vjeçarin në çerdhe

21:33, 22/02/2023

Një edukatore në një çerdhe private në Mitrovicë ka sulmuar fizikisht një fëmijë 5-vjeçar. 

Rastin tek familja e ka lajmëruar menaxhmenti ndërsa në polici e ka lajmëruar familja. Edukatorja e dyshuar është pushuar nga puna.

Në një kopsht fëmijësh në Mitrovicë një edukatore me inicialet A.A dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 5-vjeçar.

Këtë veprim e kishin kapur kamerat e sigurisë për çka ishte vërejtur nga menaxhmenti i kopshtit.

E drejtoresha e këtij institucioni ka lajmëruar prindërit dhe ka pushuar edukatoren.

“Më ka informuar menaxherja e kopshtit që ka vërejtur disa parregullësi, kam ardh i kam shikuar kamerat dhe kam vërejtur që edukatorja në fjalë ka goditur me shuplakë fëmijen, edukatorës i kam kërkuar informata me rastin që ka ndodhur, e ka pohuar menjëherë dhe ka thënë që është rast në afekt”, ka thënë drejtoresha, Agnesa Shipoli.

Edukatorja e dyshuar është intervistuar nga Policia dhe është liruar me procedurë të rregullt.

Në ndërkohë, Prokuroria rastin e ka inicuar si “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

“Rastit të cilit ju i referoheni ka ndodhur në një çerdhe private në qytetin e Mitrovicës, e dyshuar për këtë rast është një edukatore e çerdhes. Është njoftuar prokurori kujdestar, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”. Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar në bashkëpunim me policinë”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë në Mitrovicë.

Në ndërkohë, prindërit e tjerë që sjellin fëmijët këtu po thonë se nuk ka pasur raste të tilla më parë.

“Një rast i vetëm nuk besoj që duhet me pru një kopsht kaq poshtë se janë kushtet e mira e nuk kam pas problem me djalë temin asnjëherë”, ka thënë Valentina Zejnullahu, prind.

“Neve na vjen keq se unë prej dje që kam ni, jam në dyshim mos me i pru ndoshta se unë nshpi jam tu nejt, muj mos me i pru hiç edhe me shpenzu edhe me ta rreh fëmijën është shumë gjest i ulët por neve nuk na ka ndodhë asnjëherë, na qe pesë vite jemi me këtë çerdhe, ishalla nuk i ndodhë askujt”, ka thënë Mejhane Kuqani.

Rastin në polici e ka lajmëruar nëna e pesë vjeçarit. /RTV Dukagjini

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco