Rrëfim i sjellë nga gazetari afgan që po qëndron në Kosovë: Një koleg ofroi veshkën për të mbijetuar

Rrëfim i sjellë nga gazetari afgan që po qëndron në Kosovë: Një koleg ofroi veshkën për të mbijetuar

16:16, 09/02/2023

Sami Jahesh, ish-reporter i kanalit televiziv Ariana në Afganistan, i cili ka emigruar në Pakistan, ka ofruar veshkën për shitje, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike.

Dy ditë më parë, Jahesh tha në një postim në Twitter se i është dashur ta ofrojë për shitje veshkën, për shkak të situatës së rëndë ekonomike në Pakistan. Gazetari, i cili emigroi në Pakistan pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit, thotë se të gjitha shpresat e tij janë shuar.

“Kam mbetur pa para, nuk kemi bukë në shtëpi. Nuk ka zgjidhje tjetër; Unë dua t’ia shes veshkën time kujtdo që do ta blejë”.

Nga ana tjetër, ai thotë se fëmija i tij një vjeç ka një sëmundje të lëkurës që tani nuk mund ta shërojë dhe kjo sëmundje po i përhapet çdo ditë, duke ia dobësuar shëndetin.

Jahesh ka punuar si reporter në mediat afgane për më shumë se një dekadë. Ai u arrestua dhe u rrah tri herë kur talebanët erdhën në pushtet.

Ai thotë se herën e fundit u arrestua dhe u torturua nga talebanët, pas publikimit të deklaratës së tij për protestën e grave. Më pas iu desh të largohej nga Afganistani për të kërkuar strehim në një vend të sigurt.

Në një bisedë me Rafiullah Nikzad, gazetar afgan që u strehua në Kosovë, ai thotë se ka 14 muaj që jeton në një situatë të dëshpëruar në Pakistan dhe deri më tani asnjë vend nuk i është përgjigjur kërkesës së tij. Ai është i zhgënjyer që askush nuk e dëgjon.

Nga ana tjetër, gazetari Khoban Hosseini, i cili prej më shumë se një viti jeton me familjen e tij në Pakistan, kritikon indiferencën e organizatave ndërkombëtare që mbështesin gazetarët ndaj situatës së gazetarëve afganë.

“Gazetarët në Pakistan janë në telashe të rënda mendore dhe ekonomike dhe nuk mjafton bashkëpunimi i organizatave që mbështesin gazetarët dhe nëse situata vazhdon kështu, ndoshta shumica e gazetarëve do të fillojnë të shesin pjesët e trupit të tyre”.

Duhet theksuar se në dy vitet e fundit dhjetëra gazetarë janë larguar nga Afganistani për shkak të kërcënimeve të talebanëve dhe po jetojnë në një situatë të keqe në vendet fqinje të Afganistanit.

Përveç kufizimeve të shumta në punën e mediave në Afganistan, talebanët kanë kërcënuar, arrestuar dhe rrahur vazhdimisht gazetarët.

Shkrimi është përgatitur nga gazetari afgan, Rafiullah Nikzad, i cili është strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, që është i iniciuar nga ECPMF dhe zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco