Qentë endacakë 'ndajnë' qytetarët në dysh, mes frikës nga sulmet dhe këshillave si të sillemi me ta

Qentë endacakë 'ndajnë' qytetarët në dysh, mes frikës nga sulmet dhe këshillave si të sillemi me ta

17:00, 09/02/2023 Nga Albulena Hajrizi

Qytetarëve të Prishtinës po iu cenohet siguria nga qentë endacakë. Tani që acari e ka kapluar kryeqytetin, banorët po sulmohen nga ‘kafshimet e mprehta’ të katër këmbëshave, shkruan Syri.net Kosova.

Banorët kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të marrë masa për problemin me qentë endacakë, sepse sipas tyre, komuna po mbetet indiferente ndaj kësaj situate.

Qytetarët, nga komuna po kërkojnë që të implementohet një program për të menaxhuar më lehtë problemin me qentë endacakë.

Syri.net Kosova ka tentuar të marrë nga Komuna e Prishtinës një përgjigje që qytetarëve t'iu bëhet një zgjidhje për të tejkaluar këtë problem, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë një përgjigje.

Postimi i plotë:

Problemet e qenve endacak në qytet janë një sfidë e përditshme për të gjithë qytetarët. Kjo është veçanërisht e dukshme gjatë stinës së dimrit kur temperaturat e ulëta bëjnë që qenët të bëhen më të agresivë dhe të kërcënojnë sigurinë e njerëzve. Ndërkohë që qytetarët përpiqen të mbrojnë veten nga kërcënimi i qenve endacak, nuk ka asnjë masë që po ndërmerret nga Komuna e Prishtinës për të adresuar këtë situatë.

Është e papranueshme që komuna të mbetet indiferente ndaj kësaj situate dhe të presë që të ketë më shumë raste të kafshimeve nga qenët para se të ndërmarrë masa. Qytetarët kanë të drejtën e tyre të sigurisë dhe duhet të mbrohen nga kërcënimet e qenve endacak. Si një shoqëri që vlerëson jetën dhe mirëqenien e njeriut, duhet të marrim masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Komuna duhet të implementojë një program të menaxhimit të qenve endacak për të zgjidhur këtë problem. Ky program duhet të përfshijë masa si sterilizimi dhe identifikimi i qenve, sensibilizimi i qytetarëve mbi rëndësinë e menaxhimit të qenve endacak, si dhe masa të tjera që do të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe qenët e tyre.

Në fund, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mbrojmë veten nga kërcënimet e qenve endacak, por njëkohësisht duhet të kërkojmë ndërhyrjen e komunës për të zgjidhur këtë problem në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme.

Ndërkohë, fondacioni për të drejtat e kafshëve ka propozuar disa mënyra se si të veprojnë qytetarët me qentë endacakë me rënien e temperaturave në vend.

Ky fondacion ka propozuar qytetarëve të sigurojnë ushqim, të ofrojnë strehim ose të krijojnë ndonjë strehim për katër-këmbëshat të cilët jetojnë në rrugë.

Gjithashtu, u kanë sugjeruar qytetarëve të përdorin rroba apo batanije të vjetra që t’i mbulojnë kafshët të cilët në këtë kohë kanë më shumë të ftohtë.

Njoftimi i plotë:

Me rënien e temperaturave, për miqtë tonë katër-këmbësh të cilët jetojnë në rrugë, mbijetesa bëhet shumë më e vështirë. Prandaj, është përgjegjësi e secilit prej nesh me mundësitë që i kemi të kontribuojmë që këto krijesa të dashura ta kalojnë këtë acar sa më lehtë. Disa nga mënyrat se si mund të ndihmoni:

[🦴] Siguroni ushqim (jo të dëmshëm për qentë dhe macet: dhe ujë: Kafshët endacake shpenzojnë shumë kohë dhe energji në kërkim të ushqimit, prandaj është shumë e rëndësishme t'i kenë këto në dispozicion në mënyrë që ta ruajnë energjinë e tyre.

[🏚️] Ofroni strehim: Nëse keni dëshirë, dhe më e rëndësishmja, kushte, ofroni strehim të përkohshëm për ndonjë kafshë të rrugës, sidomos gjatë natës. Nëse nuk mund ta merrni një kafshë brenda në shtëpi apo banesë, së paku hapni dyert e garazhës ose të hymjes ashtu që këto kafshë të kenë një strehë nga i ftohti dimëror. Keni kujdes të mos e mbani kafshën për më shumë se 1-3 javë (vetëm gjatë acarit të madh) nëse nuk planifikoni që ta mbani përgjithmonë, ngaqë pastaj lëshimi i saj sërish në rrugë pas një periudhe të gjatë kohore, do të duket për kafshën si braktisje.

[📦] Krijoni strehim: Nëse nuk keni mundësi ta strehoni një kafshë të rrugës, me pak mund, mund ta krijoni një strehë të përkohshme të cilën mund ta ndërtoni nga kutitë e drurit, kartonit, kutitë e këpucëve etj.

[🧣] Përdorni rroba apo batanije të vjetra: Nëse keni rroba apo batanije të vjetra që nuk i përdorni në shtëpi, mund t'i shfrytëzoni për t'i mbuluar kafshët.

[🚙] Kontrolloni veturën para se të niseni: Shumë mace të rrugës, për shkak të të ftohtit të madh, gjejnë strehë në brendi të motorrit të veturës, pasi që është më nxehtë. Trokisni disa herë në pjesën e përparme të veturës para se të niseni, në mënyrë që t'i jepni kohë maceve të ndërrojnë vendin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco