‘Superpuna’ nxit kompanitë të punësojnë të rinjtë kosovarë

‘Superpuna’ nxit kompanitë të punësojnë të rinjtë kosovarë

10:10, 08/02/2023 Nga A.S

Në kuadër të mbështetjes së shtetit ndaj qytetarëve të kategorive të ndryshme më 6 shkurt të këtij viti qeveria doli me masën e radhës, atë të Punësimit të Garantuar për të Rinjtë. Kjo nismë pretendon që për çdo të ri të punësuar përmes platformës SuperPuna, qeveria të subvencionojë 264 euro të pagës nga punëdhënësi për gjashtë muajt e parë. Ndërsa si synim u proklamua që brenda vitit të parë të zbatimit të kësaj mase të ofrohet mbështetje për deri në 10 mijë vende të reja të punës të rinjtë mes moshës 18-25 vjeç. Lidhur me këtë çështje Syri ka biseduar me pronarë kompanish, të rinj e ekspert të ekonomisë.

Biznesmenët mirëpresin vendimin e qeverisë, premtojnë punësimin e të rinjve

Pronari i kompanisë “MEKA”, Burim Piraj ka bërë të ditur për Syri net Kosova se është i gatshëm që të punësoj deri 5 të rinj në kompaninë e tij.

Po ashtu Piraj e ka këshilluar qeverinë që të bëjë reforma në politikat tatimore.

“Në kompaninë tonë do të punësohen deri në 5 punëtorë të rinj, subvencioni është i mirëpritur, mirëpo duhet të kemi parasysh se është fat i mirë që ne kemi arritur të zhvillohemi në këtë kohë të vështirë se përndryshe vendet e punës nuk mendoj që hapen me subvencione, qeveria sa më parë duhet të bëjë reforma thelbësore në politikat tatimore ashtu që vendi të jetë konkurrent me vendet e rajonit”, ka thënë ai.

Edhe pronari i kompanisë “Scampa”, Kujtim Gjevori ka shprehur gatishmëri për punësimin e disa të rinjve, duke theksuar se rritja e punëtorëve do të ndikoj në rritje të prodhimit dhe rritje të cilësisë.

“Portali i punës që e ka bërë qeveria mendoj që është vendim i mirë. Ne nuk marrim punëtorë ad-hock i kemi të parashikuara ku e planifikojmë punësimin në bazë të kërkesave të prodhimit, po në ardhmen e afërt besoj që mund të ketë nevojë për 3-5 punëtorë të asaj moshe që të jenë të punësuar në kompaninë time. Kjo nuk do të thotë se nëse tregohen të suksesshëm do të përfundojnë vetëm me atë rrogën e parë të cilën e jep qeveria, por ajo do të jetë ndihmë që na thjeshtë me punësu një ose dy më shumë dhe në fund me rrit numrin e punëtorëve, prodhimin dhe kualitetin e prodhimeve. Është ndihmë me i hjek qeveria atë pjesë të pagave”, është shprehur ai për Syri net Kosova.

Eksperti i ekonomisë kërkon thellim bashkëpunimi mes trekëndëshit qeveri - sektor privat - rini

Ndërsa njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa e ka quajtur hap pozitiv këtë vendim të ekzekutivit ani pse ka kërkuar bashkëpunim më të thellë mes qeverisë, sektorit privat e të rinjve.

“Këtë nismë të ndërmarr nga ekzekutivi i vendit e shoh si hap pozitiv për sektorin privat dhe për krijimin e vendeve të reja të punës për te rinjtë e moshave 18-25 vjeç. Me nismat e tilla rininë e integron në tregun e punës dhe e përgatitë për një treg të punës që do të zhvillonte aftësitë e tyre profesionale dhe do të krijohej një pavarësi ekonomike për këta te rinj dhe do të krijonte perspektivë sa do pak për rininë tonë që është pjesa më vitale e shoqërisë. Do të duhej që ditëve në vijim të zhvillohej dhe të forcohej bashkëpunimi edhe ma i madh në mes të qeverisë sektorit privat dhe rinisë, që të zhvillohet një partneritet i ngushtë në mënyrë që rinia ta sheh vetën dhe perspektivën në vendin tone”, ka thënë ai.

Bellaqa ka sugjeruar projekte më të mëdha për të rinjtë që sipas tij janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit.

Ai ka vlerësuar se hapja e shkollave profesionale dhe trajnimet profesionale janë faktor që do të ndikonin pozitivisht në aspektin ekonomik.

“Sugjerimi im është që edhe në ardhmen të ketë nisma edhe më të mëdha dhe projekte për punësimin e të rinjve shumë më shumë sepse rinia është e tashmja dhe e ardhmja e një kombi dhe një shoqërie, dhe prioritet mbi prioritet është rinia. Të ndahet buxhet edhe më shumë në të ardhmen për punësimin e të rinjve, të hapen shkolla profesionale më shumë dhe të ketë më shumë trajnime profesionale në aspektin ekonomik”, ka shtuar ai për Syri net Kosova.

6 muaj punë kohë e shkurt, të rinjtë duan siguri më afatgjatë

I riu Burim Krasniqi ka shprehur brengën e tij se a do të zbatohet apo jo ky vendim.

“Shumë vendim i qëlluar, por uroj që të zbatohet e jo të mbetet vetëm në letër”, është shprehur ai.

Artan Gashi një i ri nga Prishtina e ka vlerësuar pozitivisht këtë nismë. Ai ka thënë se edhe vet do të aplikoj.

“Momentalisht jam pa punë. Do ta provoj aplikimin. 6 muaj janë mjaftueshëm të paktën edhe si punë praktike se unë jam veç 21 vjeç, do të më shërbente për punën e ardhshme”, ka thënë ai për Syri net Kosova.

Edhe Flutura Hoxha ka mirëpritur vendimin ani pse ka thënë se 6 muaj kalojnë shpejt dhe nuk dihet se çfarë do të bëhet me ata të punësuar pas kësaj periudhe.

“Vendim shumë i mirë, ama pak po më duken 6 muaj. Shumë kohë e shkurt që me pas siguri një i ri si unë që do ta kem një vend pune dhe stabilitet në jetë pastaj”, ka thënë studentja.

Efekti i superpunës: 151 vende të reja pune për 24

Kujtojmë që kryeministri i vendit, Albin Kurti para dy ditës duke e quajtur rininë si aset të së tashmes e potencial të së ardhmes njoftoi se për çdo të ri apo të re të punësuar përmes platformës SuperPuna, qeveria do të subvencionojë 264 euro të pagës nga punëdhënësi për gjashtë muajt e parë.

Ndërsa mbrëmë zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka bëri me dije se për 24 orë janë hapur 151 vende pune si rezultat i platformës Superpuna.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco