Të rinjtë meraklinj të armëve të ftohta, zbulohen dy raste në Prishtinë dhe Obiliq

Të rinjtë meraklinj të armëve të ftohta, zbulohen dy raste në Prishtinë dhe Obiliq

23:23, 07/02/2023

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Sinjali mëson se dy raste të tilla janë zbuluar vetëm gjatë ditës së sotme në Prishtinë dhe Obiliq.

Një njësi policore që po patrullonte në rrugën “12 Qershori” në Prishtinë, ka ndalur për kontroll një veturë, të cilën po e voziste një 32-vjeçar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuarit i janë gjetur dy mjete të mprehta, thika, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Gjatë një kontrolli rutinor u kapën mbrëmë pas mesnate edhe tre të rinj në fshatin Siboc të Obiliqit.

Gjatë kontrollimit të të dhënave dhe dokumenteve personale të tyre, është verifikuar se të dyshuarit kanë të kaluar kriminale.

Po ashtu te dy prej tyre janë gjetur dy thika të cilat janë sekuestruar nga Policia.

Tre të rinjtë janë shoqëruar në stacion policor, ku dy nga ta janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa njëri si dëshmitar.

Ndaj të gjithë të dyshuarve të mësipërm, Prokuroria ka nisur hetimet për secilin veç e veç nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco