Qindra mijëra ndërtime në Kosovë pa kurrfarë vlerësimi sizmik, të vjetrat më të rrezikuarat

Qindra mijëra ndërtime në Kosovë pa kurrfarë vlerësimi sizmik, të vjetrat më të rrezikuarat

14:35, 07/02/2023 Nga Ç.D

Tërmeti shkatërrues i së hënës që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar mijëra viktima e dëme milionëshe materiale, ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen në imunitetin e Kosovës ndaj këtyre fatkeqësive natyrore, shkruan Syri.net Kosova.

Tragjedi të tilla me patjetër se do ngjallin diskutim e debat rreth rrezikut të tërmeteve në Kosovë dhe për studimet dhe sigurinë mikrosizmike, të cilat janë të domosdoshme për zonat urbane, pra aty ku planifikohet ndërtim i lartë.

Ndërtimet e dobëta paraqesin rrezik për shembje në rast tërmeti ku rrezikojnë automatikisht qytetarët, ndaj sipas ekspertëve duhet të merren masa për përmirësimin e objekteve të ndërtuara pa standarde sizmike.

Megjithatë, sipas arkitektit, Visar Geci, ndërtimet e reja nuk rrezikojnë aq shumë, pasi janë më stabil në sistemin konstruktiv, teksa rendit disa nga arsyet.

“Ndërtimet e reja pas luftës nuk është që nuk janë të sigurta… fati që betoni e armatura kanë qenë pjesa më e lirë e ndërtimit dhe nuk e kanë kursyer materialin.  Plus mos të harrojmë që inxhinierët kanë shkuar në përmasa maksimale (përtej maksimales) për ta siguruar veten edhe pse investitorin e kanë  dëmtuar në buxhet. Për me llogarit mirë një sistem konstruktiv duhet me ditë… e në mungesë të dijes ja kanë fut MAX beton e armaturë! Më pak kanë llogarit, më shpejt e kanë përfundua projektin, më shpejt janë ardhë te paret… Shtoja kësaj që secili ndërtim u bë shumë primitiv sa i përket formave sepse format e komplikune lypin sisteme konstruktive të ndërlikuara dhe më komplekse, e për këso forma shumica nuk dijnë me zgjedh statikisht dhe e kanë obligu investitorin me shku me forma të sigurta (qata cka din ing.)”, u shpreh Geci për Syri.net Kosova.

Sipas Gecit, më të rrezikuara nga rrënimi janë objektet e vjetra, transmeton Syri.net Kosova.
 

“Brenga është te objektet e vjetra kur i kanë marrë përdheset me i shëndrru prej hapësirave të banimit ne afarizëm… për me qel hapësirën kanë rrëzuar mure mbajtëse ose shtylla mbajtëse që është shumë rrezik sepse komplet sistemi konstruktiv u dalë nga sistemi. Dmth një tërmet ish dashtë normalisht me i rrënu ato.

Objektet e reja mendoj që shumica e tyne janë stabil sa i përket sistemit konstruktiv”, tha ai.

Rivlerësimin e objekteve sa i përket sigurisë sizmike, e sheh të nevojshme edhe Florin Grajçevci, ekspert i inxhinierisë së ndërtimit dhe profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë.

Ai shprehet se objektet që kanë ulur standardet e ndërtimit mund të pësojnë më së shumti në rast të tërmeteve të cilat mund ta godasin Kosovën.

Megjithatë, ai ka shtuar se ndonëse mund të ketë tërmete në Kosovë, nuk mund të jenë të intensitetit sikur në Turqi.

“Objektet e larta, por edhe shtëpitë në Kosovë, janë të ndërtuara pa projektin e sizmikës, dhe për këtë institucionet shtetërore duhet të kenë parasysh që këto objekte duhet të rivlerësohen në kuptimin e stabilitetit, sa i përket sizmikës” – ka thënë Grajçevci.

Ai ka shtuar se studim të mikrosizmikës Prishtina ka bërë vetëm për lagjen “Ulpiana” dhe Komuna e Gjilanit vetëm për një lagje.

Ndërkohë, në një deklarim për Syri.net Kosova, drejtori i Institutit Sizmiologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, pohon se sa i përket kësaj çështje nëse të gjitha ndërtimet iu kanë referuar hartave të rrezikut sizmik sipas standardeve nacionale dhe evropiane dhe studimeve gjeologo-sizmike duke përfshirë komponentin  sizmik, atëherë nuk ka vend për shqetësim të ndonjë dëmtimi apo shkatërrimi të strukturave nga tërmetet e pritshme.

 

“Është domosdoshme që për çdo objekt të ketë studim gjeologo-inxhinierik, për të parë në çfarë trualli do të ndërtohet. Mbi këtë bëhet studimi inxhinierik-sizmologjik që jep parametrat që duhen marrë parasysh në projektimin antisizmik dhe pastaj zbatimi i këtyre studimeve. Pra, janë shumë hallka që duhen kaluar deri në fillimin konkret të ndërtimeve të gjitha këto hallka, në vendet e ndryshme të botës janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.  Sa i përket ndërtimeve se sa i përballojnë tërmetet e pritshme referuar hartës se rrezikut sizmik, fillimisht duhet me i pas të gjitha të dhënat se si janë projektuar dhe me çfarë standardi janë projektuar dhe ndërtuar, pra nuk është kompetencë e SHGJK-së të prononcohet, sepse nuk jemi institucion që pajisim me leje ndërtimore dhe nuk menaxhojmë ekzekutimin e ndërtimeve të objekteve sipas projektit,  kjo varet se sa janë respektuar standardet nacionale dhe standardet evropiane për ndërtim që është kompetence e nivelit lokal. Ne mund të themi që nëse të gjitha projektet, pra ndërtimet iu kanë referuar hartave të rrezikut sizmik sipas standardeve nacionale dhe evropiane dhe studimeve gjeologo-sizmike duke përfshi komponentin  sizmik, atëherë nuk ka vend për shqetësim të ndonjë dëmtimi apo shkatërrimi të strukturave nga tërmetet e pritshme”, nënvizoi ai.

Mustafa po ashtu ka renditur disa prej zonave më me rrezik lë lartë sizmik në territorin e Kosovës.

“Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë;  zona sizmogjene Pejë-Istog, ZS Ferizaj-Viti-Gjilan,  ZS Kopavnik,  ZS Prizren-Gjakovë,  këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.5 shkallë të richterit,  kurse zonat me rrezik më të ulët, ZS Drenicë, ZS Prishtinë-Mitrovicë, këto janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.1 shkallë të richterit”, u shpreh Mustafa.

Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit së dy pllakave të mëdha tektonike,  në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik duke përfshirë edhe zona përreth.

Tërmeti më i fortë i regjistruar dhe i dokumentuar në Kosove është tërmeti i vitit 1921, në zonën Viti-Ferizaj- Gjilan me një magnitudë prej 6.1 në shkallën Richter dhe një intensitet prej 8.5 ballë Mercali./SYRI.NET KOSOVA

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco