Qendrat për Punë Sociale në ‘sitën’ e MD-së, sivjet miratohet Ligji për Shërbime Sociale e Familjare

Qendrat për Punë Sociale në ‘sitën’ e MD-së, sivjet miratohet Ligji për Shërbime Sociale e Familjare

12:58, 02/02/2023

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot kanë mbajtur takim me përfaqësuesit e Qendrave për Punë Sociale (QPS), ku është diskutuar për sfidat, organizimin e shërbimeve sociale, bashkëpunimin institucional në ngritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe avancimin e kornizës ligjore për shërbimet sociale.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se shërbimet sociale për një kohë të gjatë kanë qenë të neglizhuara dhe nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga politika.

“ Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë që Qendrat për Punë Sociale kanë, dhe për gamën e gjerë të shërbimeve që ato ofrojnë, jemi këtu që diskutojmë dhe të njohim vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqoheni si institucione të shërbimeve sociale në mënyrë që gjatë reformës së politikës sociale, si Qeveri të gjejmë zgjidhje për problemet të cilat ju i keni. Pavarësisht që këto qendra menaxhohen nga institucioni i komunës, ne njohim sfidat që ju ballafaqoheni dhe jemi këtu që bashkërisht të gjejmë zgjidhje gjithmonë në interesin më të mirë të qytetarëve”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ndërsa ministrja Haxhiu njoftoi se Departamenti i Shërbimeve Sociale, i cili deri më tani ishte nën kompetencat e MFPT-së, ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

“ Ky takim ka për qëllim koordinimin ndërinstitucional për hartimin e politikave sociale, të cilat për ne kanë rëndësi për ngritjen e cilësisë në shërbimet e ofruara për qytetarët në fushën sociale”, tha ministrja Haxhiu duke shtuar që gjatë këtij viti pritet edhe miratimi i Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Ministrja Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë tashmë ka themeluar një komision i cili do të merret me identifikimin e nevojave, sfidave dhe problemeve të këtyre institucioneve, pjesë e të cilit do të jenë edhe përfaqësuesit e QPS-ve.

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje për zgjidhjen e problemeve sociale.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco