Rohde: Asociacioni të themelohet në harmoni me vendimin e Kushtetueses

Rohde: Asociacioni të themelohet në harmoni me vendimin e Kushtetueses

23:48, 19/12/2022

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një detyrim që e ka marrë Kosova.

Ambasadori Rohde ka deklaruar se nuk është qëllimi të formohet një Republika Sërpska tjetër. Ai ka thënë se një OJQ gjermane ka bërë një propozim për Asociacionin, që është qartë në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015.

“Kategorikisht e refuzoj bosnjëzimin, apo këtë Republikën serbe, sa herë e kam thënë unë dhe kolegët e ambasadave të tjera se, qartazi, kjo nuk është Republikë serbe. Dhe një OJQ gjermane, së bashku me Institutin Evropian për Paqe së voni e kanë publikuar një propozim për Asociacionin, i cili shumë qartë është hartuar të jetë në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga 2015-a, e cila gjithashtu parasheh disa kompetenca në fushën e shëndetësisë dhe arsimit e mbase edhe planifikim. Dhe kjo e gjitha është në harmoni me ligjet e Kosovës. Është një lloj i autonomisë në disa sfera që nuk e kërcënon integritetin territorial apo sovranitetin e Kosovës. Dhe, e përmirëson një situatë ku tash e keni realitetin e strukturave paralele, që nuk janë përherë të kontrolluara nga Qeveria e Kosovës, e më pas e keni një strukturë që është plotësisht me rregullativat kosovare. Unë vetëm mund të them: ku është problemi këtu? I gjithë diskutimi ynë këtu është që të përmbushen marrëveshjet e kaluara, në kërkim të zgjidhjeve inovative”, ka thënë Rohde në një intervistë në KTV.

Rohde ka folur edhe për propozimin që po njihet si “franko-gjerman”, ndonëse nuk ka hyrë në detaje.

“E keni parë propozimin evropian i frymëzuar nga Gjermania e Franca, e dini, që u përpoq t’i çonte gjërat para. Të gjitha këto propozime i përfshijnë marrëveshjet nga e kaluara, përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ato e sigurojnë një shteg përpara për Kosovën dhe e dini, ne duam, e në veçanti Gjermania, të ndodh kjo. Keni pasur vizita nga Gjermania. E kemi pasur Samitin në Berlin, për Procesin e Berlinit. E keni pasur këtë propozim tash për statutin e Asociacionit, të gjitha këto, të themi, janë të shtyra nga Gjermania, apo janë ide gjermane për ta shtyrë Kosovën më afër strukturave euroatlantike”, tha Rohde.

Rohde ka thënë se propozimi për statutin e Asociacionit, është përgatitur nga një OJQ gjermane, Fondacioni Ebert, së bashku me Institutin Evropian për Paqe. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës mund ta përdorë duke e zgjidhur situatën, e përherë duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.

“Një OJQ gjermane, Fondacioni Ebert që e botoi atë së bashku me Institutin Evropian për Paqe, siç e kuptoj unë, ky është një mjet, që Qeveria e Kosovës, pra një qeveri sovrane mund ta përdorë si projekt ideor për ta zgjidhur situatën dhe përherë duke e respektuar Kushtetutën e Kosovës”, tha Rohde.

Ai theksoi se Asociacioni është obligim kontraktual i Kosovës dhe duhet të zgjidhet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco