Kurti: Serbia mund të ketë marrë shumë mallra e armë, por jo themelin e qytetërimit perëndimor

Kurti: Serbia mund të ketë marrë shumë mallra e armë, por jo themelin e qytetërimit perëndimor

22:45, 19/12/2022

“Gjatë shekujve, Serbia mund të ketë marrë shumë teknologji, mallra, industri dhe armë, po asnjëherë themelin e qytetërimit perëndimor”.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në konferencën e gjashtë të Ambasadorëve.

Kurti tha se përpjekjet e Serbisë për civilizim janë përpjekje të dështuara, pasi sipas tij, Serbia kurrë nuk mund t’i afrohet Perëndimit.

“Gjatë shekujve, Serbia mund të ketë marrë shumë teknologji, mallra, industri dhe armë, po asnjëherë themelin e qytetërimit perëndimor: demokracinë dhe liritë njerëzore si themeli i prodhimit, i tregtisë, i politikës dhe mënyrës së jetesës së atij qytetërimi. Dhe ashtu si përgjatë shekullit të XX-të, as sakrifikimi i shtetimit të plotë të Republikës së Kosovës në fillimin e këtij shekulli nuk e kënaq “perëndinë” serbe, as nuk e renditë Serbinë mirëfilli krah qytetërimit perëndimor. Për të fshehur pamundësinë e vet për civilizim, ajo akuzon shqiptarët për muslimanë”, njofton komunikata e ZKM’së.

Tutje, kryeministri Kurti foli edhe se si Beogradi, të cilin e quajti “armik ekzistencial që bën shumë zhurmë”, po rreshtohet përkrah politikës pro-ruse.

“Ne kemi një armik ekzistencial që bën shumë zhurmë, që përdor gjithnjë një pozicion hibrid në rendin historik dhe atë gjeopolitik. Beogradi luan me spektrin politik proserb dhe projugosllav për të fituar nga ekstremet e vendeve perëndimorë. Me të majtët ekstremë Beogradi fiton me idenë e Jugosllavisë, me të djathtët ekstremë fiton me idenë e Serbisë mbrojtëse të krishterimit”.

Kryeministri tha se Serbia e sheh veten si projekt të pushtimit sllav, ndaj edhe s’mund ta tradhëtojë lehtë Rusinë.

Lidhur me këtë, kryeministri tha se duhet treguar edhe shteteve perëndimore.

“Në aspektin gjeopolitik, ky kundërshtar i yni i madh i premton të gjithë perëndimorëve, por qëndron me rusët deri në fatalitet dhe luan me dyfishësinë e Kinës. Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë pa pësuar një transformim rrënjësor. Sepse ajo e sheh veten si projekt të pushtimit sllav në vazhdimësinë e shekujve. Këto dy sende duhet t’ua themi me kujdes dhe me durim perëndimorëve që njohim e që i takojmë. Mjafton t’ua shpiem në mend dhe ata e kontrollojnë vetë vërtetësinë pastaj. Mjafton t’u tregojmë se ekstremet e tyre janë më larg Kosovës, dhe ata do të kuptojnë se qendra e majtë dhe e djathtë ka shumë, shumë arsye ta mbrojë Kosovën dhe kurrsesi të shpreh simpati për Serbinë.

Duhet t’ua paraqesim ne argumentet kundër ekstremeve të tyre, ekstremeve në shtetet e tyre. Duhet t’iu themi se Jugosllavia e atëhershme si platformë për Serbi të Madhe, ky ish prijës i vendeve të paangazhuara, ndërtohej i tëri mbi dhunimin e shqiptarëve. Dhe t’iu japim shifra, dhe t’iu japim artikuj, dhe t’iu japim libra. E më pas t’iu themi se kjo ëndërr e tregoi se mbi ç’sakrificë ndërtohej. Andaj edhe tretja e saj prodhoi katër luftëra dhe atë masë të madhe krimi e gjenocidi”, bëhet e ditur në komunikatë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco