Policia përplaset me banda, Kurti me Vuçiç’in me deklarata

Policia përplaset me banda, Kurti me Vuçiç’in me deklarata

08:01, 11/12/2022

Derisa Policia e Kosovës shkëmbeu plumba me bandat kriminale në Veri të Kosovës, Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç kanë shkëmbyer deklarime me retorikë të ashpër. Bashkimi Evropian ka qëndruar pasiv, kurse SHBA-të, përmes Këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shpresojnë t’i largojnë përplasjet nga terreni dhe t’i ulin dy liderët sërish në tavolinë bisedimesh.

Që nga viti i kaluar kur filloi saga e targave, tensionet asnjëherë s’kanë qenë më të larta në veri të Kosovës.

Përtej retorikës që vazhdimisht u kërkua të zbutej, por po vazhdimisht u bë e kundërta, mbrëmjen e 10 dhjetorit ballafaqimi shkoi përtej fjalëve.

Prej kohësh grupet kriminale në veri kanë zhvilluar aksione dhe kanë gjuajtur në drejtim të policisë, madje me tetë dhjetor u plagos edhe një polic i Kosovës, pas të shtënave me armë të gjata siç njoftoi policia në një fshat të Zveçanit – por, tri net më vonë, forcat e rendit treguan se kishin pasur konfrontim të armatosur me grupet e njëjta.

Pjesëtarët e grupeve kriminale, mbështjellur fytyrat me maska, janë shndërruar në pamje të zakonshme në katër komunat veriore dhe gjithashtu numri i policisë së Kosovës është rritur ndjeshëm për t’iu përgjigjur kundërshtimit.

Vakumi i sigurisë në veriu u krijua për një çështje e cila tashmë ka përfunduar, por i kanë mbetur si zgjatime pasojat.

Kosova deshi të aplikojë vendimin e marrë nga Qeveria për konfiskimin e veturave me targa ilegale. U kundërshtua nga Serbia dhe serbët lokalë dhe u këshillua nga ndërkombëtarët të mos e bëjë. Qeveria më pas vendoi të sekuencojë vendimin dhe të vazhdojë me qortime e gjobitje për ato vetura që identifikohen me targa “KM…” të Serbisë. Serbët e Kosovës në revoltë lëshuan institucionet, pasi fillimisht pjesëtarët serbë të policisë refuzuan ta zbatojnë vendimin.

Meqë i dogjën mandatet në nivel politik, obligimi kushtetues thërriste për organizimin e zgjedhjeve. Duke përjashtuar vërejtjet për situatën e brishtë të sigurisë, presidentja Vjosa Osmani, e përkrahur nga Qeveria, shpalli datat 18 e 25 dhjetor si ditë zgjedhjesh të pjesshme për Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Edhe këtë vendim e shtyu qeveria e Kosovës, por nuk u shty dot kriza në veri, veçse u përshkallëzua.

E gjithë kjo, në një kohë kur evropianët u angazhuan për të gjetur një propozim për marrëveshje finale.

Propozimi fillimisht u trajtua si bastard, duke u publikuar vetëm në media e duke mos u pranuar si dokument evropian. Por disa muaj me vonë pasi e pranuan  të gjitha palët ekzistencën e tij, u birësua nga Bashkimi Evropian, duke aluduar se aty takonte si nismë nga fillimi.

Në momentin kur besohej se krizat akute do liheshin anash, për të vazhduar me propozimin dhe shpesën për një pajtim final, ose të paktën një hartë drejt atij pajtimi, krizat në terren veçse u shtuan, me palët duke akuzuar njëra tjetrën se nuk e duan marrëveshjen fare, prandaj e kthejnë në destruktivitet përmes veprimeve.

Aktualisht, tonet kanë prekur kulmin me zyrtarët serbë në krye me Aleksandër Vuçiç, që para publikut deklaruan se po e mendojnë rikthimin e trupave serbë në Kosovë duke i bërë një interpretim të çoroditur rezolutës 1244.

Më vonë, në një reagim në Facebook, kryeministri Albin Kurti, tha se dëshirë e ka paqen, por kërcënimeve dhe aksioneve të Serbisë Kosova do t’u përgjigjet me aq forcë sa ka.

Dhe në fund, doli me njoftim vartësi i Vuçiç-it, Petar Petkoviç, që barazoi Kurtin, duke thënë se nëse do luftë, me të njëjtën monedhë do përgjigjet Serbia.

Përfundimisht, disa rrugë në Veri janë të bllokuara nga barrikadat e vendosura nga serbët, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën, EULEX-i gjithashtu dhe KFOR-i që monitoron nga afër gjithçka, derisa qytetarët që jetojnë në atë pjesë, sidomos ata shqiptarë, po ri-jetojnë ankthin e viteve të pas luftës kur pasiguria për jetën ishte shqetësim konstant.

Bashkimi Evropian e ka gjetur të vështirë të arrijë të bindë palët, apo t’ua imponojë uljen në tavolinë për bisedime përfundimtare dhe në vazhdimësi kanë ndërhyrë temat ditore.

“Kemi mbetur në gjendje të menaxhimit të krizave të vazhdueshme”, pati thënë Josep Borrell, krye-diplomati evropian, në një nga konferencat e tij.

Në tensionet e rritura, mungesën e përgjigjes nga BE dhe potencialitetin e eskalimit, vizita e Këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, po mirëpritet si një çelës opsional zhbllokimi.

Ai në Ballkanin Perëndimor do qëndrojë nga 11 dhjetori deri me 17 dhjetor dhe viziton Kosovën dhe Serbinë.

Chollet në Kosovë vinte për të kërkuar nga liderët institucionalë “që të shtyhen zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit”, por meqë tashmë ka ndodhur, amerikani në agjendë ka diskutimet “për vazhdimin e bashkëpunimit për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e SHBA-së për të përmirësuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, por edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Agjenda zyrtare thotë se edhe në Serbi temat do ta kenë të ngjashme përmbajtjen.

Në të njëjtën kohë, BE po bën gati një takim mes Kurtit e Vuçiç me shpresë të mbahet para viti të ri.

Në ndërkohë, Veriu mbetet me disa rrugë të bllokuara, pasiguri të lartë dhe rrezik shpërthimi në çdo moment.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco