Qeveria nuk përfill britanikët, zgjedh njeriun e vet në krye të Telekomit

Qeveria nuk përfill britanikët, zgjedh njeriun e vet në krye të Telekomit

22:43, 07/12/2022

Burbuqe Hana edhe zyrtarisht e merr udhëheqjen e Telekomit të Kosovës për një mandat 3-vjeçar.

Burime të Kiks Kosovës thonë se Hana u vu në krye të Telekomit pas presioneve të mëdha që Qeveria Kurti II i bëri Bordit të Telekomit, kjo pasi që Komisioni Britanik, i cili mori pjesë në rekrutimin për këtë pozitë, propozoi për kryeshef të Telekomit Kreshnik Domin.

Në fakt në rezultatet e prezantuara ky komision ka propozuar vetëm Domin për këtë pozitë.

Domi aktualisht mban pozitën e drejtorit të Shitjes në Telekomin e Kosovës.

I kontaktuar nga Kiks Kosova, kryesuesi i Bordit të Telekomit ka refuzuar të konfirmojë ose jo lajmin për Hanën.

Shpëtim Dobraj ka thënë shkurt se është në mbledhje, duke mos dashur të vazhdojë bisedën tutje.

Të njëjtat burime thonë se Dobraj ka kërkuar bazë ligjore për ta votuar Hanën, e cila nuk ishte kualifikuar fare nga britanikët, por ishte qëndrimi i kryeministrit Kurti që vendosi për një gjë të tillë.

Sidoqoftë, Hana mori mbështetjen e Bordit në një mbledhje që ka zgjatur për orë të tëra.

Megjithatë, lajmin për Kiks Kosovën e ka konfirmuar edhe anëtarja e Bordit, Mimoza Vila.

Më 24 prill të vitit 2022, Burbuqe Hana ishte emërua për herën e parë si ushtruese e detyrës së kryeshefes së Telekomit. Hana në këtë pozitë e zëvendësoi Bedri Istrefin, që u shkarkua nga kjo pozitë pas ardhjes në pushtet të Kurtit.

4 muaj më vonë, Hana kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, saktësisht më 17 gusht të vitit 2020.

Më pak se një vjet pas dorëheqjes, Burbuqe Hana u emërua serish si ushtruese e detyrës së Telekomit, më 7 qershor të vitit 2021, pasi kishte dhënë dorëheqje ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Zeqir Kiqina, i cili kishte thënë se këtë po e bënte për arsye shëndetësore.

Hana, pavarësisht që nuk ka mbajtur pozita udhëheqëse brenda Vetëvendosjes, në opinion njihet si njëri i afërt me partinë në pushtet, për faktin se është parë në protestat e Vetëvendosjes sa ishte në opozitë.

Mediat raportuan se Hana nuk plotëson as kriterin për të ushtruar këtë pozitë, e cila kërkon të paktën 5 vjet përvojë menaxheriale. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco