Pse është ashpërsuar retorika para takimit të radhës në Bruksel?

Pse është ashpërsuar retorika para takimit të radhës në Bruksel?

08:06, 04/12/2022

Ndërkohë që vëmendja më e madhe është përqendruar në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, optimizmi se kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mund të arrijnë një kompromis është zbehur dukshëm.

Kur së shpejti do të zhvillohet edhe takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, vetëm pak ditë pas marrëveshjes për de-eskalim rreth çështjes së targave, me shpresë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja do ketë hapësirë për diskutim të marrëveshjes përfundimtare, kriza mund të rikthehet sërish – me tensione edhe më të larta.

Të paktën kështu është krijuar përshtypja pas përshkallëzimit të retorikës nga ana e presidentit serb, i cili duke komentuar vendimin e kryeministrit Kurti për emërimin e Nenad Rashiç në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, shqiptoi një sërë ofendimesh.

Vuçiç e quajti Rashiç’in dhe këshilltaren e tij, Rada Trajkoviç, si “llumi i shoqërisë serbe” dhe Kurtin që i emëroi “llum terrorist”.

Madje, një ditë më vonë, jo vetëm që nuk kishte ndërruar mendje pas asaj që dukej si një krizë nervore, por paralajmëroi se serbët e Kosovës mund të tentojnë t’i bllokojnë rrugët në pjesën veriore, duke i sfiduar autoritetet kosovare.

“S’durojmë më”, kërcënoi ai, ndërsa pohoi se “serbët në veri të Ibrit janë afër vendosjes që të mos lejojnë askënd të hyjë në atë pjesë”.

Por, Kurti nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Vuçiç, përveç se në mediat e huaja nuk ngurron ta pëshkruajë presidentin serb si një “udhëheqës autoritar pro-rus” dhe Serbinë si “shtet jo-nomal”.

“Vuçiç është një njeri i dhunës”, deklaron ai dhe “kjo dhunë në Kosovë shihet përmes bandave kriminale dhe strukturave paralele”.

Përtej kësaj, ngarkimi i një politikani serb që nuk kontrollohet nga Beogradi, si zëvendësim i kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiç, nga ekspertët është denoncuar si vendim anti-kushtetues.

Shefi i qeverisë nuk reagoi as pasi BE-ja ngriti shqetësimin se procedura e caktimit të ministrit pa miratimin e grupit më të madh minoritar që përfaqësohet në Kuvend, nuk përkon me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Gjithashtu, për lidershipin aktual politik në Kosovë, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka qenë dhe mbetet një ndër çështjet më problematike – një nga arsyet që serbët vendosën të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Kurti, pastaj edhe presidentja Vjosa Osmani, deklarativisht kanë sfiduar komunitetin ndërkombëtar, duke e cilësuar kërkesën e tyre për zbatim të marrëveshjeve, si të dëmshme për interesat e Kosovës dhe që cënojnë rendin kushtetues të saj.

Në pritje të intensifikimit të dialogut për marrëveshjen e re, një retorikë më e ashpër, mund të konsiderohet si mesazh diplomatik për ta detyruar “kundërshtarin” të heq dorë nga disa kërkesa specifike.

Në një perspektivë klasike të “politikës së pushtetit”, retorika e acaruar mobilizon mbështetësit – margjinalizon rivalët – në dobi të politikanit.

Në pokerin diplomatik, në përpjekje për t’i forcuar pozicionet negociuese, para marëveshjes eventuale, palët mund të rrisin tensionet duke “thyer shtizat” se kush e ka kontrollin efektiv të situatës.

Përderisa gjërat qëndrojnë kështu dhe BE-ja sugjeron palët të përdorin “gjuhë evropiane”, një tjetër krizë simptomatike rrezikon ta devijojë agjendën e bisedimeve në Bruksel dhe, siç pati deklaruar krye-diplomati evropian, Josep Borell, do vazhdojnë prapë të merren me menaxhim krizash.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco