Stano arsyeton vonesën në zbatimin e marrëveshjes për energjinë

Stano arsyeton vonesën në zbatimin e marrëveshjes për energjinë

09:50, 07/10/2022

Brenda dy muajve, do të duhej që të zbatohej udhërrëfyesi për marrëveshjen për energjinë, arritur në kuadër të procesit të dialogut Kosovë –Serbi.

Një dakordim i tillë ka ndodhur me 21 qershor 2022. Por, kompania “Elektrosever” ka shkelur të gjitha afatet të përcaktuara me këtë udhërrëfyes.

Në lidhje me këtë çështje, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, me 5 tetor, pasi raportoi në Komisionin Parlamentar për Integrime, paralajmëroi se për shkak të mospërmbushjes së obligimeve nga marrëveshja e Brukselit, kompanisë ‘Elektroserver’ mund t’i merret licenca.

Ai tha se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka dy javë kohë që të diskutojë më palët lidhur me marrëveshjen për energjinë, të arritur me Serbinë për furnizimin e veriut me rrymë.

“ZRrE ka dy javë që të diskutojë me palë që të shikojë se a ka zgjidhje apo duhet të merret vendimi për suspendimin e licencës”, tha Bislimi.

“Ka mospërmbushje nga Elektroserveri dhe ka hezitime nga ana e KEDS-it dhe duhet të qartësohen brenda 10 ditësh”.

Në lidhje me këtë çështje, RTKlive ka pyetur Bashkimin Evropian, si ndërmjetësues, se si do të veprojë në këtë rast.

Peter Stano, zëdhënës i kryesor i shefit për Politikë të Jashtme e të Sigurisë, Joseph Borrel, deklaron se;-“ Bashkimi Evropian, po ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve sa i përket Udhërrëfyesit për Energjinë, në kapacitetin e vet si lehtësues dhe garantues i marrëveshjeve të dialogut”.

“KOSTT, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikim të rregullt”, thotë Stano për RTKlive. “Ata raportojnë gjithashtu rregullisht në BE dhe SHBA”.

Sa i përket vonesës për zbatim të dakordimit mes palëve në Bruksel, Stano deklaron se kjo po ndodhë për shkak të aspekteve teknike, të cilat: -“BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë”.

“BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen çështjet e hapura”, thotë Stano.

Në pyetjen nëse BE ka ndonjë masë sanksionuese ndaj palëve që nuk zbatojnë marrëveshjet e dakorduara, Stano deklaron se:-“BE-ja po lehtëson dialogun ndërmjet palëve por nuk është arbitër”.

“Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve për udhërrëfyesin për energjinë u takon palëve”.

Satno thotë se Brukseli është duke punuar me të gjitha palët e përfshira për të gjetur një mënyrë, që do të çonte në kapërcimin e vonesës aktuale, në mënyrë që të zbatohet marrëveshja.

Me 21 qershor, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur të pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për këtë dialog, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar fillimisht takime bilaterale me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Sipas dakordimit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në dokument thuhet që brenda shtatë ditëve të lëshimit të licencës, Elektrosever do t’i ofrojë Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT të dhënat më të fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësim të BE-në.

“Pas 10 ditëve të lëshimit të licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës për energji”, thuhet në një prej pikave të udhërrëfyesit.

Brenda 15 ditëve të nënshkrimit të marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in, Elektrosever do të pajisjet me kodet identifikuese, ashtu që të kryejë aktivitetet që i parasheh licenca.

Më pas, në periudhë 30-ditore KEDS dhe KOSTT (nën ndërmjetësim të BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje.

Në pikën e gjashtë të udhërrëfyesit përmendet që brenda 45 ditëve të sigurimit të licencës, KOSTT dhe KEDS, në konsultim me Elektrosever-in do t’ia dorëzojnë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizim të infrastrukturës ekzistuese.

Pas 21 ditësh, ZRRE më pas do të miratojë këto plane në parim.

Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektrosever-in, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësim të BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.

BE më pas do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën prej ndonjërës palë.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.

Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco