Bërnabiç la nën hije vizitën e Bislimit dhe Nagavcit në Luginë

Bërnabiç la nën hije vizitën e Bislimit dhe Nagavcit në Luginë

07:58, 06/09/2022

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë ditës së djeshme qëndruan për vizitë në Luginën e Preshevës.

Arsimi ishte tema më e përmendur në vizitën e delegacionit të Kosovës në Luginë. Ata shpërndanë libra për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës. Por, vizita e tyre ngjalli reagime të shumta.

Një përfaqësues politik nga Lugina, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi refuzoi ti takojë.

Ai në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net tha se  Komuna e Preshevës është anashkaluar nga Bislimi e Nagavci dhe në shenjë proteste nuk do të marrë pjesë në drekën e punës.

“Jo nuk marrë pjesë (në drekën e punës) si shenjë proteste që e kanë anashkaluar Komunën e Preshevës”, ka thënë Arifi për Reporteri.net.

Gjithë këtë, ai e cilësoi si  një hakmarrje ndaj tij dhe madje tha se këtë nuk e ka pritur nga Albin Kurti.

“Është hakmarrje nga Liburn Aliu për shkak se nuk ju nënshtrova shtypjes së VV-së dhe nuk i bëhem skllav politik. Kjo që po ndodh është anashkalim total i çdo qytetari të komunës së Preshevës”, thotë Arifi për Reporteri.net.

Në disa media tjera, ai akuzoi Qeverinë e Kosovës, se nuk i ka transferuar ende 2 milionë eurot e ndara për Luginën.

Numri dy i Qeverisë dhe Ministrja Nagavci anashkaluan edhe komunën e Medvegjës, ku tash e sa kohë po tentohet të bëhet spastrim entik, përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve. Në drekën e tyre të punës me  liderët politik të Preshevës, nuk ishte prezent asnjë përfaqësues politik nga Medvegja.

Lidhur me këtë ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri.

Haziri ka kritikuar Bislimin pse s’e takoi Shqiprim Arifin, duke shkruar “se zëvendësi i Kurtit i vendosi reciprocitet Serbisë, a reciprocitet të inatit – Medvegjës e Shqiprim Arifit”

“Ata ju mirëpresin gjithmonë dhe kur i harroni, por edhe kur nuk ua jepni dy milionë eurot e premtuara”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Por, si të suksesshme vizitën e tij në Luginë e cilësoi vetë Bislimi.

Ai tha se ka ardhur momenti që çështja e Luginës së Preshevës të marrë vëmendje edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Ka ardhur momenti që çështja e Luginës së Preshevës të marrë vëmendje edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Problematikat serioze si shpopullimi, garantimi i të drejtave për shqiptarët, regjistrimi i popullsisë, njohja e diplomave, mungesa e investimeve nga institucionet, tashmë duhet të trajtohen gjerësisht. Për ne si Qeveri është me rëndësi garantimi i simetrisë dhe barazisë në të drejta mes qytetarëve shqiptarë në Luginë dhe atyre serb në Kosovë”, ka shkruar Bislimi.

Vizita e vartësve të Kurtit në Luginë, ka kaluar pa zhurmë të madhe mediatike në Serbi.

Gazetari Idro Seferi që raporton nga Beogradi ka thënë se për vizitën e delegacionit të Kosovës në Luginën e Preshevës nuk është raportuar pothuajse fare nëpër mediat serbe.

Ai në Klan Kosova, ai ka thënë se më shumë është raportuar për vizitën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në veri të Kosovës.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme derisa anëtarët e Qeverisë po e vizitonin Luginën, në komunat me shumicë serbe në veri qëndroi e mandatuara për kryeministre të Serbisë, Ana Brnabiq. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco