Avokati autorizon praktikantin për përfaqësim në seancë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ndërpritet gjykimi

Avokati autorizon praktikantin për përfaqësim në seancë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ndërpritet gjykimi

19:20, 12/06/2024

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Markoviq, avokati Dejan Vasiq, për përfaqësim në seancën e së mërkurës ka autorizuar praktikantin e zyrës së tij, Goran Mitroviq, është ndërprerë gjykimi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të seancës, zëvendësuesi i avokatit Vasiq, Goran Mitroviq, ia dorëzoi gjykatës autorizimin me shkrim, e më pas seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Rade Basara, i cili deklarimin e tij e kishte filluar në seancën paraprake.

Mirëpo, pas një pauze të shkurtër, trupi gjykues vërejti se në autorizim avokati Vasiq kishte shkruar se e autorizon praktikantin e zyrës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj tha se në parim iu besojnë avokatëve dhe se dje e kishte njoftuar avokatin Vasiq që të sjell një zëvendësim për seancën e sotme.

“Sot neve na u ka dorëzu një autorizim nga avokati Dejan Vasiq ku për shkak të gjuhës ne edhe një herë në korridor e shikuan autorizimin se gjyqtari Musë (anëtar i trupit gjykues) ka më shumë përvojë në gjuhë, e pyeta se çka nënkupton termi në autorizim shkruan se e autorizoj thotë praktikantin e zyrës, që praktikanti nuk e ka të lejuar me ardhë me përfaqësu këtu”, tha gjykatësi Kurtaj.

Po ashtu, Kurtaj tha se avokati Vasiq ka qenë shumë i vetëdijshëm se me çfarë vepre penale kemi këtu të bëjmë këtu, çfarë dënimi shqiptohet për këtë vepër penale e kush mund ta zëvendësoj avokatin në këtë çështje.

“Kështu që këtu mund ta zëvendësojë vetëm një avokat që është anëtar i Odës së Avokatëve i licencuar, kështu që gjykata në këtë moment e ndërprenë shqyrtimin gjyqësor”, tha tutje gjykatësi Kurtaj.

Gjykatësi Kurtaj e pyeti Mitroviqin (praktikantin) se a e ka njoftuar avokati Vasiq se ku ka ardhur gjë të cilën Mitroviq e pohoi.

“A je avokat?”, pyeti gjykatësi Kurtaj, ndërsa Mitroviq tha: “Jo, unë jam praktikant”.

Gjithashtu, Mitroviq tha se është edhe i licencuar ai praktikant në Odën e Avokatëve ku edhe ia prezantoi gjykatës lejen.

“Mu më është thënë dhe më është sqaruar se klienti im është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ku është dënimi i paraparë për 5 vite”, tha tutje Mitroviq.

Sipas gjykatësi Kurtaj, në lidhje me atë se a do të ndërmarr masa trupi gjykues ndaj avokatit Vasiq do të vendos në seancën e radhës pasi që ta merr edhe një deklaratë nga vet avokati Vasiq.

“Kjo nuk është në rregull se sot e kemi bo një punë shumë të madhe. Ne e kemi marrë autorizimin edhe tash pse ne nuk mujm çdo shkresë me dërgu përkthyesve që e dorëzoni ju me përkthy ne nuk mund çdo gjë, çdo çështje me përkthy për me mujt me ec se nuk kemi teknikisht mundësi”, tha Kurtaj.

Sipas tij, kjo është një sjellje jo e hijshme e avokatit Vasiq, sepse pavarësisht a akuzohet klienti i tij për vepër penale të dënueshme deri në 5 vite, rasti është rast që ndiqet për krim të organizuar.

Ndërsa, lidhur me veprimet që u ndërmorën paraprakisht në këtë seancë, gjykatësi Kurtaj tha se do të vendoset në seancën e radhës pasi që të krijohen kushtet.

Gjithashtu i njëjti kërkoi nga praktikanti Mitroviq që ta njoftoj avokatin Vasiq që në seancën e radhës të jetë i pranishëm.

Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, më 27 dhjetor 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, të cilin e ngarkon me katër vepra penale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco