Reciprocitet me ID kartat – po me targat ç’u bë?

Reciprocitet me ID kartat – po me targat ç’u bë?

09:33, 01/09/2022

Serbët e Kosovës do të kenë dy muaj kohë, nisur nga 1 shtatori, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një paraqitje para gazetarëve, ku ftoi të gjithë qytetarët serb ta shfrytëzojnë këtë mundësi, kështu duke u liruar edhe nga detyrimi i pagesës së TVSH-së, akcizës e doganës.

“Fushata për ndërrim të targave, nga ato që i ka lënë regjimi i Millosheviç’it e që secili pushtet i mëpasshëm i Serbisë i ka vazhduar, te ato legjitime të Republikës së Kosovës do të fillojë më 1 shtator dhe do të vazhdojë deri më 31 tetor”, ka thënë Kurti.

Mu në këtë datë ka qenë e planifikuar, që të hyjë në fuqi edhe vendimi për vendosjen e masave reciproke kundër Serbisë, në lidhje me dokumentet personale. Por, marrëveshja për këtë çështje është arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Dhe kështu pak pas mesnatës së 31 gushtit, shteti Serbisë ka filluar zbatimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas të cilës asnjëra palë nuk do t’i lëshojë dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit e palës tjetër.

Si rrjedhojë në pikë kalimin kufitarë në Jarinje, polici kufitar serb ka pranuar dhe procesuar më tej dokumentin identifikues të lëshuar nga autoritetet e Kosovës pa një fletë të bardhë shtesë në formatin A4, e cila lëshohej deri më tani, pasi shteti serb nuk pranonte asnjë dokument ku shkruante Republika e Kosovës.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ishte i pranishëm në pikë kalimin kufitarë në Bërnjak, për të monitoruar nga afër situatën në terren.

“Tashmë vetëm mund të konfirmojë se këtu në pikë kalimin kufitarë në Bërnjak, kishim një veturë e cila kaloi pa probleme, do të thotë është ndërprerë lëshimi i fletave hyrje-dalje nga ana e autoriteteve të Serbisë”, ka thënë mes tjerash ai.

Xhelal Sveçla në pikë kalimin kufitarë në Bërnjak

Deri në këto momente nuk është raportuar për ndonjë eskalim të situatës në këtë pjesë të vendit.

Ishte Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, ai i cili dha lajmin se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për kartat e identitetit u arrit.

Në fakt marrëveshja e arritur më 27 gusht nuk ishte një marrëveshje e re.

Thjesht ishte një zotim i të dyja palëve se tash e tutje do të respektohen marrëveshjet e vitit 2011 për Lëvizje të Lirë e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do lëviznin nga njëri shtet në tjetrin vetëm me kartat e identitetit.

Problemi ishte se Serbia nuk e aplikonte ashtu si ishte arritur marrëveshja dhe u lëshonte kosovarëve edhe nga një letër të bardhë për hyrje/dalje.

Kosova nuk e bënte të njëjtën. Siç ishte shpjegimi atëherë, shteti i Kosovës kishte refuzuar të bëjë për shkak të mos detyrimit të shqiptarëve të Luginës për një letër të tillë.

Por, ka shumë mundësi që nuk bëhej edhe për shkak të rebelimit që do të mund të ndodhte nga ana e serbëve të Kosovës.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, vendosi që ta vë në funksion këtë letër të bardhë, nëse Serbia vazhdon me të njëjtën.

Ndonëse zgjidhja për letrat hyrje-dalje u arrit, me targat nuk është arritur ndonjë marrëveshje akoma. Atyre do të vazhdohet t’u vendosen ngjitës në vendet ku janë emblemat e shtetit dhe shkronjat dalluese të republikave.

Për çështjen në fjalë u tha se janë dhënë disa opsione në takimin e 18 gushtit në Bruksel.

Njëri nga modalitetet që u propozua në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, ishte ajo e rikthimit në qarkullim të targave neutral “KS”, si opsion për serbët të cilët nga 1 shtatori duhet t’i konvertojnë tabelat ilegale me akronime “KM” në ato “RKS”.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit një propozim të tillë, e ka refuzuar në mënyrë të prerë.

“Opsionet për targa neutrale, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, mirëpo unë nuk e di se kush ja ka dhënë idenë, por njëkohësisht e kam shprehur shqetësimin tonë se nuk janë të pranueshme”, pati deklaruar Kurti.

Ndryshe Lajçak, në një intervistë për Euronews, edicioni në gjuhën serbe, pati konfirmuar se BE-ja për këtë çështje ka dhënë disa ide konkrete palëve, të cilët duhet të zgjedhin njërin nga modalitetet.

“Vendimi i qeverisë në Kosovës është që procesi të përfundojë deri në fund të tetorit. Pra kemi dy muaj kohë për të gjetur një zgjidhje. Tashmë jemi në atë proces. Ne ishim në telashe për dokumentet hyrëse-dalëse. Për targat kemi të paktën dy muaj kohë për t’i zgjidhur, besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, kishte thënë Lajçak.

Kryediplomati sllovak përpos që kishte konfirmuar se pala kosovare ka pranuar periudhën dymujore për konvertimin e targave, pati deklaruar se nuk pret përshkallëzim të situatës për këtë çështje.

“Regjistrimi fillon më 1 shtator dhe duhet të zgjasë dy muaj. Nuk pres ndonjë dramë më 1 shtator. Nuk ka arsye për këtë, ne kemi periudhën dy mujore për të gjetur një zgjidhje, siç e kemi gjetur në lidhje me kartat e identitetit”, pati thënë më tej Lajçak.

Si rrodhën gjërat?

E gjithë saga, e cila kulmoi edhe me përkeqësimin e situatës së sigurisë në Veriun e Kosovë, filloi me vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 29 Qershor.

Në mbledhjen e 85-të të Qeverisë së Kosovës, ekzekutivi morri vendim që serbët e Kosovës t’i konvertojnë targat e tyre ilegale në ato RKS, deri më 31 shtator si dhe vendosi masën e reciprocitetit për dokumentet personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Siç rëndom ndodh, vendimet e marra u kontestuan nga shtetit serb, ani pse për një gjë të tillë kishte një marrëveshje të nënshkruar në mes të dy vendeve për Lirin e Lëvizjes më 2011 në Bruksel.

Më 31 korrik në ditën kur filloi implementimi i këtyre dy vendimeve ngjau ajo që paralajmërohej prej kohësh, serbët e Kosovës bllokuan rrugët që të shpien drejtë dy pikë kalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, kështu duke e pamundësuar implementimin e këtyre vendimeve.

Bllokimi i rrugëve nga serbët

I menjëhershëm qe reagimi i shteteve të QUINT’it në Kosovë mu në krye me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jefrrey Hovenier, i cili pas një konsultimi me krerët institucional të vendit, lajmëroi se vendimi në fjalë është shtyrë së implementuari për një muaj.

Këmbëngulja e Hovenier bëri që situata në Veri të depërshkallëzohet pa u kthyer në një konflikt më të gjerë.

Megjithatë fërkimet dhe diskursi për luftë ndërmjet dy liderëve shtetërorë, Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç’it, mori tatëpjetën. Të dy liderët fajësonin njëri-tjetrin për përkeqësimin e situatës në Veri.

Mu për këtë arsye, në lojë u futën NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, një ditë para se të takoheshin kokë më kokë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, u pritën veç e veç nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po në Bruksel.

Mesazhi i takimit me udhëheqësin e Aleancës Veri-Atlantike, ishte më se i qartë, në rast të përshkallëzimit të serishëm të situatës në Veri, KFOR-i si mision i NATO-s, ndërhyjnë ushtarakisht.

Megjithatë një mesazh kaq i qartë nuk u dha në takimin e një dite më vonë, e ndërmjetësuar nga zyrtarët e BE-së.

Ishte Josep Borrell, i cili kumtoi lajmin se pas 5 orë diskutimesh nuk u arrit asnjë marrëveshje konkrete në lidhje me zgjidhjen e ngërçit politik për shkak të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Takimi u mbyll pa rezultat, por përpjekja e Borrell dhe Lajçak për të gjetur një zgjidhje nuk përfundoi me kaq.

Liderët me të kthyer në shtëpitë e tyre njoftuan për temat e diskutuara në tavolinën e bisedimeve.

Për Albin Kurtin, i cili adresoi temat e diskutuara më 18 gusht para publikut me gjashtë ditë vonesë, një gjë ishte e qartë se pala serbe, e udhëhequr nga Aleskandër Vuçiç, qëllimisht po eskalon situatën në Veri.

Sipas Kurtit, ishin gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin e tretë me radhë të nivelit të lartë në kuadër të dialogut. Përkundrazi, sipas Kurtit, Vuçiç, ka lëshuar sallën në momentin kur, Miroslav Lajçak, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, ka dhënë katër propozime për çështjen e targave dhe kartave të identitetit.

Takimi trelateral i 18 gushtit në Bruksel, sipas Kurtit, ka trajtuar dy tema – atë për marrëveshjen finale dhe çështjen aktuale të situatës në Veri, sipas agjendës së dakorduar më herët.

Për pikën e parë, Kurti tha se kanë dërguar propozim me gjashtë kapituj për mënyrën se si pala kosovare mendon se duhet të duket marrëveshja e përgjithshme për normalizim të marrëveshjeve.

Kurti më tej kishte bërë të ditur se qëllimi i palës kosovare në dialog ka qenë diskutimi i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e jo thjesht diskutimi për menaxhimin e krizës, pas eskalimit të situatës në Veri.

Pas dështimit të takimit të 18 gushtit në dialog, në fushë hyri edhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili i shoqëruar me Miroslav Lajçak vizituan Kosovën dhe Serbinë.

Përpjekja e tyre u konsiderua si “Shuttle Diplomacy”, e cila në fund kulmoi me arritjen e një ujdie për kartat e identitetit.

Ndërsa ajo për konvertimin e targave duket se do të jetë edhe për një kohë të gjatë si arsyeja që Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç të kenë kokë dhimbje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco