Greva që e çoi një Kosovë në këmbë brenda një dite

Greva që e çoi një Kosovë në këmbë brenda një dite

14:18, 25/08/2022 Nga SH.A

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, për të disatën herë ka lëshuar deklaratat e tij 'kërcënuese' se do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

Ai ka thënë se Qeveria nëse do mund t'ua realizojë kërkesat.

“Qeveria me dashtë mund t’i realizojë kërkesat tona e jo të vajtojë që po mbesin fëmija rrugëve, po mbesin pa shkolla, e qytetarë pa e nxjerr një dokument. Qeveria le të ulet me ne, le të arrijë një marrëveshje të pranueshme, situata do të qetësohet. Nëse jo, në rrugë të Zotit jemi dhe s’kemi pas rrugë tjetër”, ka thënë Jasharaj.

E Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar duke paralajmëruar se në rast se do të ketë greva në sektorin publik, atëherë çdo grevisti do t’i ndalet paga çoftë edhe për një orë grevë.

Këtë e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, i cili tha se kjo po bëhet duke respektuar nenin 18, pikën 1.

“Kemi garantuar të drejtën e grevës por që kemi njoftuar që duhet zbatuar edhe dispozita ligjore që kërkon pezullimin e kontratës së punës. Neni 18, paragrafi 1 është i qartë. Neni 18, pika 1: Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”, thuhet në përgjigjen e Spahiut.

Ky paralajmërim i Ministrisë së Financave ka ngjallur reagime të ndryshme.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, menjëherë ka ngritur nivelin e 'kërcënimit' duke thënë se situata mund të përkeqësohet nëse veprohet në këtë mënyrë.

Avokati Xhevdet Smakiqi ka deklaruar se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës duhet ta kërkojnë shkarkimin e zëvendëssekretarit të Ministrisë së Financave, Enis Spahiu nga kjo pozitë.

Kjo për shkak se Spahiu përmes një email-i ka kërkuar pezullimin e pagave për punëtorët e sektorit publik që hyjnë në grevë. Sipas Smakiqit, i cili ka shkruar në Facebookun e tij, greva është veprim i garantuar me ligj.

“BSPK-ja dhe SBASHK-u duhet shtuar tash kërkesën shtesë për shkarkimin e Zv.Sekretarit te Përgjithshëm te Ministrisë se Hekuran Muratit, Enis Spahiu. Grevat e punëtoreve janë te garantuara me nenin 27 par.4 te Ligjit Për Organizmin Sindikal Nr.04/-L-011 punëdhënësit i ndalohet te ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj grevistëve”, shkroi ai.

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj tha se çdo iniciativë për pezullimin e pagave të grevistëve nga ana e shtetit është e jashtëligjshme.

“Pezullimi i pagave nga ana e shtetit ndaj punëtoreve që hyjnë në grevë të ligjshme, është cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve, e paparë në një shtet demokratik, ose nga një parti politike qe ka promovuar shtet social. E papranueshme. Kjo nuk kalon. Masa të menjëhershme ndaj kujdo që  ka filluar një iniciativë të tillë.“ tha Miftaraj.

I ashpër në reagim ka qenë gazetari Xhevdet Pozhari.

"- E degraduan arsimin. Heshtëm!
- I mbushën shkollat me militantë partiakë. Prapë heshtëm.
- U bë prijës i sindikatës një ngelaç që ia falnin notat.  Prapë heshtëm.
- I dyti i sindikatës u bë milioner, prapë heshtëm.
- U bë diplomë më e vlefshme libreza partiake. Prapë heshtëm.
Tash duan t'i mbyllin shkollat për fëmijët tanë, edhepse do të kenë rritje të pagave. E, tash nuk ka heshtje më!", ka shkruar Pozhari, duke shtuar se, "Mësimdhënia mbi të gjitha është mision, e jo veç profesion. Kush nuk e ka kuptuar këtë dhe jep mësim, bën mirë vendin t'ia lirojë dikujt tjetër".

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në një reagim për media ka theksuar se Kosova po përballet me greva dhe kërcënim për greva shkaku se sindikalistët kanë kërkuar rritje të pagave e që po refuzohet nga qeveria.

KMDLNj thekson se kërcënimi i qeverisë për ndalje të pagës është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Nga të gjithë segmentet që kanë filluar grevën apo që do të bëjnë grevë së shpejti, arsimi është më i ndjeshmi dhe më kërcënuesi. KMDLNj është deklaruar shumë herë se greva është mjet i skajshëm apo i fundit i një veprimi sindikalist. Në mungesë të vullnetit, në radhë të parë të qeverisë, që përmes dialogut me sindikata të gjej zgjidhje sipas kërkesës së sindikatave apo, si zgjidhje kalimtare të jetë një marrëveshje e afatizuar, dy palët kundërshtuese janë barikaduar duke mos ofruar asnjë zgjidhje”, thuhet në reagim.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, sa i pëket grevës së nisur.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj e akuzoi Kurtin për tallje me punëtorët, madje, ka edhe një kërkesë nga kryeministri, shkruan Syri Kosova.

“Ju kryeni punën tuaj. Miratojeni me urgjencë Ligjin e Pagave dhe reflektoni ndryshimet që kanë ndodhur. Ligji duhet të reflektojë rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionin, që zyrtarisht ka mbërritur në 19.2%. Çdo formulë tjetër do t'u kthehet në bumerang. Është sosur durimi!!!” shkroi Haradinaj.

Vargut të reagimeve të shumta për grevën dhe paralajmërimin e Qeverisë, nuk i ka munguar edhe një imam.

Imami kosovar, Labinot Maliqi, ka thënë se rezultatet e testit PISA janë treguesi më i mirë se a e meritojnë mësimdhënësit rritjen e pagave apo jo.

Maliqi thotë se SBASHKU duhet të kërkojë nga mësimdhënësit ta ngritin profesionalizmin në punë, para se të kërkon rritje pagash për ta.

Ndryshe, në Kosovë ka filluar sot greva e përgjithshme e sektorit publik.

Kjo për shkak që sindikalistët nuk kanë arritur të merren vesh me Qeverinë për të parandaluar grevën e paralajmëruar ditë më parë./Syri.net Kosova

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco