Iu gjetën mbi 100 thika, arrestohet e pastaj lirohet shitësi ambulant në Pejë

Iu gjetën mbi 100 thika, arrestohet e pastaj lirohet shitësi ambulant në Pejë

23:12, 17/08/2022

Organet e rendit të martën kanë bastisur tezgën e një shitësi ambulant në Çarshinë e Gjatë në Pejë. Shitësi u arrestua e më pas u lirua me procedurë të rregullt.

Njëra nga tezgat e shitësve ambulant në Çarshinë e Gjatë në Pejë po ofronte për shitje diçka të paligjshme.

Krejt kjo ndërhyrje e Policisë së Kosovës rezultoi me arrestimin e shitësit dhe sekuestrimin e hiç më pa se 105 mjeteve të mprehta të llojeve të ndryshme, tri shufrave metalike, 11 boksave të hekurt, 4 sprejve e një elektroshoku.

Pas arrestimit, policia ka njoftuar se shitësi është liruar në procedurë të rregullt.

Të dyshuarin për këtë rast e njohin edhe qytetarët. Ata pohojnë se gjatë së martës shitësi vazhdonte qëndrimin këtu dhe shiste pa asnjë pengesë produktet e tij.

Që vazhdimisht shiten pa asnjë ndalesë armë të tilla këtu e thonë vetë banorët. Por ata kërkojnë kontroll të shtuar nga organet e rendit.

“Armët e ftohta shiten te xhamia e Pejës, nëpër tavolina, çeltazi”, tha njëri prej qytetarëve.

Që janë shitur armë e pohon edhe zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zeka.

“Me të thënë të drejtën ata prej pasluftës janë aty t’u shitë. Komuna mundet me i mbikëqyrë për ekspozim të tepërt të mallit edhe se a i kanë hapësirat e lejuara por jo se çka me shitë. Ajo është kompetencë e policisë”, tha Zeka.

Zeka tregon që një pjesë e shitësve ambulant qëndrojnë aty me marrëveshje.

Komuna e Pejës ka propozuar dy lokacione për vendosjen e shitësve ambulantë mirëpo tregtarët nuk kanë pranuar. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se në këto lokacione të propozuara lejohet shitja e produkteve të rrezikshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco