Berisha i shkruan Nagavcit, lejimi i shamisë në shkolla në dorën e ministres së Albin Kurtit

Berisha i shkruan Nagavcit, lejimi i shamisë në shkolla në dorën e ministres së Albin Kurtit

13:49, 05/08/2022

Juristi Durim Berisha përmes një postimi në facebook ka njoftuar se i ka dërguar një letër ministres Nagavci në lidhje për lejimin e shamisë në shkolla, shkruan syri.net Kosova.

Në baze të letrës kuptohet që sipas Berishes, lejimi i shamisë në shkolla është në duart e Kurtit.

Postimi i plotë:

Ministrja e Arsimit znj. Arbërie Nagavci përmes një mikut të përbashkët ka shprehur gatishmërinë që të takohemi gjatë javës së ardhshme e të bisedojmë rreth kërkesës për anulimin e nenit 3 paragrafi 1.13 të  Udhëzimi Administrativ nr. 06/2014.

Pasi jam jashtë vendit dhe e kam të pamundur të udhëtoj në Kosovë, së pari e falënderoj zonjën ministre për gatishmërinë e shprehur dhe konfirmimin se kërkesa nuk ka hasur në vesh të shurdhër, sikurse ka ndodhur me një kërkesë të ngjashme të dorëzuar në janar të vitit 2022 dhe së dyti po e shfrytëzoj këtë postim që të shprehi publikisht atë që do t'i thoja ministres në takim.

E nderuar ministre znj. Nagavci,

ne mund të takohemi çdoherë në një atmosferë shumë miqësore dhe mund të diskutojmë për çdo temë. Mirëpo drejtësia nuk negociohet. Ashtu si e kam theksuar në kërkesën time të dorëzuar formalisht, neni 3 paragrafi 1.13 i UA nr. 06/2014 nuk mund të jetë pjesë e rregullativës juridike të Kosovës. Është obligim i juaji si ministre, pra jo diskrecion - por obligim ligjor, që të ndryshoni UA nr. 06/2014 dhe të ktheni ligjshmërinë. Nuk do t'i përsëris arsyetimet juridike të theksuara në kërkesë dhe në publik që disa ditë, sepse kjo çështje nuk kërkon ndonjë ekspertizë të jashtëzakonshme juridike, ngase bëhet fjalë për një nocion bazik.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi jo vetëm që nuk ndalojnë të drejtën për të manifestuar besimin, por e garantojnë atë.

E nderuar znj. Ministre,

kjo dispozitë do të fshihet nga UA i lartpërmendur. Shpresojmë që këtë do të bëni Ju e do të na kurseni nga një procedurë gjyqësore.

Besoj se e keni parë që këtë kërkesë nuk po e mbështet vetëm komuniteti musliman, por përmes kampanjës #ndryshojeni_ua_për_shaminë të filluar nga miku im Liridon Kurti, po e përkrahin të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare. pa dallim besimi, etnie apo feje. Kjo kërkesë po përkrahet fuqishëm edhe nga komuniteti akademik shqiptar në diasporë. Pra nga persona që i kanë të mishëruara parimet e barazisë dhe drejtësisë.

Nuk kemi kërkuar dhe nuk po kërkojmë mëshirë. Po kërkojmë vetëm drejtësi. E për drejtësi do të punojmë pa u ndalur dhe pa u lodhur, derisa ta arrijmë.

Mbes me shpresë se javën e ardhshme në vend të takimit të propozuar, të ma dërgoni vendimin për aprovim të kërkesës apo udhëzimin e ri administrativ, i cili nuk përmban këtë dispozitë. Është kompetencë ekskluzive e juaja, e njëkohësisht obligim ligjor që ta fshini nenin 3 paragrafi 1.13 të UA nr. 06/2014.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco