A iu bë testi i alkoolit dhe i drogës policit? AMP nuk tregon asgjë mbi pronësinë e skafit misterioz

A iu bë testi i alkoolit dhe i drogës policit? AMP nuk tregon asgjë mbi pronësinë e skafit misterioz

12:49, 03/08/2022

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e punonjësit të policisë Arjan Tase pas vrasjes së 7-vjeçares gjatë ditës së djeshme në plazhin e Potamit në Himarë.

AMP shpjegon edhe rrethanat e ngjarjes së rëndë duke theksuar se Tase fillimisht ishte afruar me skaf pranë zonës së mbushur me pushues në kundërshtim me rregullat e lundrimit në det, dhe gjatë momentit që ka tentuar të rikthejë skafin në ujë, ka bërë disa manovra të rrezikshme, duke goditur me pjesën e pasme të skafit 7-vjeçaren, e cila pësoi vdekjen e menjëhershme për shkak të plagëve të marra.

AMP shprehet se e ka kategorizuar ngjarjen si “vrasje nga pakujdesia”, ndërkohë që kujdeset të tregojë se skafi i fuqishëm me 2 motorë nga 300 kuaj fuqi ishte me dokumente të rregullta, ndërkohë që mungon informacioni mbi pronësinë e tij dhe rrethanat e marrjes në përdorim nga Arjan Tase.

Raportohet se efektivi i policisë, në momentin që ka shkaktuar tragjedinë, ishte i armatosur dhe pistoletën e shërbimit e mbante në kundërshtim me ligjin në çantën që kishte në krah. Sipas ligjit, efektivët e policisë nuk lejohet që të mbajnë armën e punës kur janë jashtë shërbimit, por kjo nuk e ka penguar Arjan Tasen që të thyej ligjin dhe të lëviz si “i fortë” në plazhin e Potamit.

Natyrshëm lind pyetja se për çfarë i duhej Arjan Tases pistoleta e shërbimit në një kohë kur ishte me pushime me të afërm të tij? Në një moment Tase ka pasur edhe një përballje me babanë e vajzës së mitur që i mori jetën, që një gjaknxehtësi e momentit mund të kishte sjellë një tragjedi të dyfishtë për shkak të armës së zjarrit që ai mbante. Pritet që hetuesit të japin përgjigje pyetjes se pse lëvizte Arjan Tase i armatosur jashtë shërbimit.

Po ashtu një tjetër shkelje e rëndë e ligjit është se deri më tani nuk rezulton që Arjan Tase të ketë pasur një patentë për të drejtuar një skaf 7 metra të gjatë dhe me 600 kuaj fuqi. Një përgjigje që kërkohet nga autoritetet është se kujt i përkiste ky skaf, dhe si ka arritur ta sigurojë polici Arjan Tase nga pronari këtë skaf. 

Në zonë dëshmitarët thanë se Arjan Tase ka tentuar që të largohet menjëherë pas tragjedisë që shkaktoi. Grupi hetimor ka hapur kamerat e sigurisë për të parë se si ndodhi kjo tragjedi që shokoi opinionin publik.

Po ashtu autoritetet duhet të japin përgjigjen nëse Arjan Tase ishte nën efektin e alkoolit apo nën efektin e lëndëve narkotike. E nëse këto analiza nuk janë bërë që në fillim kur ai u shoqërua, Prokuroria duhet të nisë hetimet se pse mund të jenë shmangur testet.

Kryetari demokrat, Sali Berisha, denoncoi dje se Tase është përdorues i lëndëve narkotike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco