VIDEO/ Gazetarja rrëfen momentet e tragjedisë në Himarë: Tani shpresojmë të zbardhet e vërteta dhe fajtor, të mos dalë fëmija

VIDEO/ Gazetarja rrëfen momentet e tragjedisë në Himarë: Tani shpresojmë të zbardhet e vërteta dhe fajtor, të mos dalë fëmija

11:48, 03/08/2022

Gazetarja e TCH, Esmeralda Keta, ka qenë  një dëshmitare e tragjedisë së familjes Avdia në Himarë, ku një skaf i dalë jashtë kontrollit i mori jetën një vajze të vogël 7 vjeçe përpara syve të prindërve të saj në breg të detit.

Gazetarja, pasi tregoi momentet dramatike që drithëruan mbarë opionionin në Shqipëri dhe jashtë kufijve, theksoi bindjen e saj si nënë, si qytetare, se faji nuk është as i fëmijës dhe as i prindërve, por i shtetit që ka për detyrë të kontrollojë çdo njeri që merr licensë dhe del me mjete të tilla në breg.

Në një prononcim për SYRI TV, Esmeralda Keta tha:

Në këtë moment nuk ka të bëjë profesioni i gazetarit, sepse jemi të gjithë njerëz. Të gjithë përfshihemi nga emocionet e momentit. Le të themi që për fatin e keq, rastisëm në një ngjarje dramatike që ka trazuar jo vetëm pushuesit që ndodheshin në atë moment këtu në plazh, por të gjithë opinionin publik për shkak të makabritetit dhe mënyrës sesi një fëmijë i vogël humbi jetën.

Unë isha në çadër, e relaksuar, me pushime, fëmijët ishin në det - me pak vëmendje të shtuar sepse kishte dallgë këto ditë.

Në momentin që ka ndodhur ngjarja, nuk e kam parë sesi ndodhi goditja, por di që kemi dëgjuar ulërima, kemi parë njerëz që shtrëngonin kokën me dorë, që bënin ato skenat e dhimbshme. Instiktivisht kam reaguar, kam marrë fëmijët e mi, i kam nxjerrë nga deti ashtu siç bënë dhe gjithë të tjerët e pastaj fatkeqësisht kam parë një trup fëmije buzë detit...

Ishte një ngjarje shumë shokuese dhe për mënyrën se si e vogla iku nga kjo jetë. Trupi iu dëmtua rëndë, sepse mjeti ishte me një fuqi motorike shumë të lartë dhe e ka dëmtuar goxha trupin e të miturës.

Pati, një le të themi, një reaksion të madh zinxhir: Njerëzit në mes të asaj dhimbjeje gjetën kurajon që t’i kërkonin llogari personit që ishte duke drejtuar mjetin.

Vetë nuk e kam vënë re skafin. Unë kam parë vetëm momentin e fundit kur skafi po bënte disa rrotullime se e kishte humbur kontrollin pasi goditi fëmijën dhe këputi dhe një nga litarët e kordonit të sigurisë. Pastaj sigurisht dhe që drejtuesi i mjetit kishte një moment që vuri duar në kokë; ishte një ngjarje dramatike.

A tentoi të arratisej ose të largohej nga vend ii ngjarjes?

Keta: Nuk besoj se ka tentuar të arratisej sepse të gjithë pushuesit i janë afruar, i kanë kërkuar llogari; ka pasur një tension të madh midis pushuesve por që... Ndoshta që në momentin e parë që u mor vesh se drejtuesi i skafit ishte një person që kishte shërbyer më parë në Komisariatin e Himarës dhe aktualisht  ishte po i veshur me uniformën e Policisë, pati dhe dyshime për manipulime të provave …Por megjithatë këto janë shumë herët dhe s’na takon neve t’i themi, janë organet e drejtësisë që do t’i zbulojnë dhe shpresojmë që e vërteta të dalë në shesh.

Ju si nënë si ndiheni pas kësaj ngjarjeje?

Keta: Sigurisht, s’ka nevojë të jesh nënë dhe të kesh patjetër fëmijë për ta përjetuar këtë ngjarje. Pamjet jua tregojnë vetë. Sot hoteli ku qëndronte familja dhe është pikërisht ky hoteli këtu nuk ka më asnjë pushues. Kanë ikur të gjithë dje pasdite.

Sot, tek tuk, po shkon ora 11 ka filluar del ndonjë pushues, por fëmijë nuk ka më. I kanë marrë të gjithë dhe kjo është një zonë periferi e Himarës, ku vijnë familjarë për t’iu shmangur këtyre rreziqeve.

Ajo që më shqetëson mua jo si gazetare, por si individ, është se ne kemi parë kudo nëpër bregdet që ka nga këto kordonet e sigurisë, litarë. Vijnë dhe dalin mjetet , zbarkojnë, marrin pushues. A janë të licensuar këto kordone sigurie dhe përsonat që i kanë, a janë sipas rregullave?

Ajo që e bën më dramatike këtë ngjarje është se pikërisht një person që duhet të na mbrojë, të na tërheqë vëmendjen nëse ne bëjmë një sjellje që rrezikon jetën e të tjerëve, pikërisht ai person i merr jetën një fëmije! Kjo është ajo që duhet të shërbejë si kambanë alarmi.

Ndoshta midis shumë teorive dikush do të thotë se fajin e kishte fëmija, fajin e kishin prindërit... Prindërit në fakt kanë qenë në vijën e parë të bregut, kanë qenë afër fëmijës. Ju mund ta shikoni, çadra ende është aty me rrobat dhe kanë qenë në vijën e parë, e kanë pasur nën monitorim; sigurisht të gjithë mund të jenë pak të relaksuar dhe s’e kanë atë vëmendjen maksimale,  por faji nuk është as i fëmijës dhe as i prindërve. Faji është i shtetit që ka për detyrë të licensojë dhe të kontrollojë, të kontrollojë çdo njeri që merr licensë dhe del me mjet në breg.

Sot shikoni masa të shtuara?

Keta: Jo, siç e shikoni sot janë hequr dhe shiritat e skenës së krimit, ishin deri dje pasdite …Ne shpresojmë tani që të zbardhet e vërteta dhe fajtore të mos dalë fëmija!/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco