Serwer: Kosova veproi drejt, tash ‘topi’ është te Serbia më 1 shtator

Serwer: Kosova veproi drejt, tash ‘topi’ është te Serbia më 1 shtator

11:46, 03/08/2022

Tensionet në veri të Kosovës tashmë janë shuar, ndërsa gjendja e sigurisë është stabile. Por, 1 shtatori është data kur pritet të hyjnë në fuqi vendimet për zbatimin e reciprocitetit në letërnjoftime dhe targa. Çka mendon eksperti Daniel Serwer për çështjen?

Në një koment profesori nga Middle East Institute, Daniel Serwer, është shprehur po ashtu mbështetës për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës.

“Pikëpamja ime është që qeveria e Kosovës është krejtësisht brenda të drejtës së saj kur kërkon reciprocitet në kufi.” – u shpreh ai.

Sidoqoftë, ish negociatori i bisedimeve të paqes në Dayton ka mbështetur edhe vendimin e Qeverisë së vendit për të shtyrë vendimin për 30 ditë, sipas kërkesës së bërë nga ambasadori i ShBA-ve në vend Jeff Hovenier.

“Po ashtu, ishte e arsyeshme nën rrethanat e dhëna që të shtyhej ky vendim.”

Sipas njohësit amerikan të rrethanave në Ballkan, tashmë ‘topi’ është në anën e Serbisë dhe jo të Kosovës.

“Pyetja tash është nëse Serbia do të jetë më e gatshme në shtator që ta bëjë gjënë e duhur.” – tha ai për Nacionalen.

Me gjënë e duhur, nënkuptohet respektimi i zbatimit të vendimit nga Qeveria e Kosovës. Besohet gjerësisht, madje edhe nga zyrtarë të Kosovës, se strukturat paralele në veri – të cilat kishin krijuar tensionet e natës së 31 korrikut – janë nën direktiva të pushtetit të Aleksandër Vuçiqit në Beograd.

Këtij besimi i përket edhe z. Serwer.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, gjatë ditës së djeshme është shprehur se Qeveria e Kosovës ka qenë e koordinuar me faktorët ndërkombëtarë për vendimin e marrë.

Kjo deklaratë përgënjeshtronte deklarimet e disa eksponentëve opozitarë të partive parlamentare në Kosovë të cilët e kritikonin Kurtin pikërisht për mungesën e koordinimit.

I kontaktuar nga Nacionalja për të dhënë mendimin e tij pas qëndrimit të ambasadorit Hovenier se kishte pasur koordinim, Rashit Qalaj nga PDK-ja kishte thënë “ka pasur koordinim, por jo mjaftueshëm”.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti II, Xhelal Sveçla, ishte pyetur mbrëmë në një emision televiziv në lidhje me veprimet që po ndërmirreshin për të shmangur atë që kishte ndodhur më 31 korrik, në mënyrë që vendimet të hynin në fuqi pa tensione.

Ai ishte shprehur se kishte nisur një fushatë vetëdijësuese te serbët e Kosovës, për t’i dalë kundër propagandës serbe me dezinformata.

Pikërisht dezinformatat kishin qenë një element i përdorur si justifikim edhe nga ambasadori Hovenier kur kërkoi shtyrjen e vendimit për 30 ditë.

*Daniel Serwer ka shërbyer si i dërguar special dhe koordinator për Bosnje dhe Hercegovinën, gjatë të cilit mandat kishte ndërmjetësuar përfundimin e luftës së shkurtër kroato-boshnjake të vitit 1994.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco