Autoritetet përgjegjëse nuk e thanë krejt të vërtetën për tensionet në veri?

Autoritetet përgjegjëse nuk e thanë krejt të vërtetën për tensionet në veri?

11:24, 03/08/2022

Tensionet në veri më 31 korrik do t’i çakërdisnin çuditshëm autoritetet e Kosovës. Qeveria Kurti II do të tërhiqej nga zbatimi i vendimeve, por disa qytetarë do të lëndoheshin e përveç tyre më së shumti do të lëndohej e vërteta.

Qëllimi i deklaruar i kësaj rrëmuje që ka prodhuar edhe ‘aksidente të paqëllimshme’ gjatë rrugës ishte “mos-përshkallëzimi i situatës”. Por, mjeti i përdorur mund të jetë tepër i dëmshëm për demokracinë.

Gazeta Nacionale me anë të një burimi nga Policia e Kosovës që ndodhej në veri të vendit kishte raportuar në lidhje me plagosjen e një polici. Ky lajm nuk ishte konfirmuar dhe nuk do të konfirmohej nga autoritetet përgjegjëse. Policia e Kosovës e mohoi me vendosmëri informacionin, përmes komunikatave në Facebook dhe përmes thirrjeve të vazhdueshme nga Samedin Mehmeti, drejtori i Policisë, në drejtim të redaksisë sonë.

Lajmi ishte hequr, por jo para se të cilësohej si “lajm i rremë” nga një verifikues faktesh i certifikuar nga Facebook-u, dhe i cili për ironi është pjesë e një portali lajmesh (kallxo.com) që është cilësuar nga akterë të ndryshëm si i afërt me Qeverinë e Kosovës.

Fatkeqësisht, gazeta Nacionale nuk ia doli mbanë ta konfirmonte lajmin dhe u detyrua të kërkonte falje për raportimin e bërë.

Por, ajo që u evidentua ishte prirja e madhe e autoriteteve për të kontrolluar informacionin, dhe lëndimi që ia bënë të vërtetës e demokracisë përmes këtij veprimi.

FAKT: 11 = 6

Policia e Kosovës si çdo mëngjes tjetër, edhe më 1 gusht, do të dërgonte një raport të 24-orëshit të fundit te mediet kosovare.

Në atë raport njoftohej për gjashtë persona të lënduar. Tre të parët në Leshak të Leposaviqit ndërsa tre të dytët në Jarinjë.

Të shtënat me armë zjarri nuk ishin raportuar në raportin e 24-orëshit (Shkruaj: Asgjë me rëndësi për të raportuar), siç kishte ndodhur ta zëmë më 15 prill kur lajmëroheshin mediet për sulmin që kishte ardhur nga Serbia në fshatin Bube.

Siç do të merrej vesh më vonë (e njëjta datë, ora 19:41) po nga Policia e Kosovës, kishin ndodhur katër raste të shtënash me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, dhe madje në një rast ishte dëgjuar edhe një detonim.

Por, informacionet më kundërthënëse i tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për medie me kryeministrin Albin Kurti.

“Nga zhvillimet e djeshme, i kemi 11 qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët janë të lënduar dhe të cilët i kanë marrë trajtimet e nevojshme...”,  tha Svecla

Pra, sipas ministrit Sveçla ishin 11 të lënduar, ndërsa sipas Policisë së Kosovës, vetëm gjashtë.

Nacionale shkoi në konferencën e sotme (2 gusht) për medie të Policisë së Kosovës dhe shtroi pyetje në lidhje me këtë mospërputhje numrash, por fatkeqësisht nuk mori një përgjigje konkrete.

“Aktualisht jemi ende në procedurë të verifikimit dhe publikimit... është vetëm një ditë prej kur janë hjekë barrikadat, dhe është herët njëherë me folë sa persona janë lënduar, sa njerëz janë duke u hetu. Në momentin qe do t'i kemi të dhënat, do t'i publikojmë. Këtu jemi mbledhë për një projekt krejt tjetër...”, na tha drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

Nga praktikat e mëhershme, por edhe ato të mbrëmjes së 31 korrikut, kemi mësuar që Policisë i duhen vetëm pak orë (e ndonjëherë, më pak edhe se një orë e vetme) për të konfirmuar numrin e të lënduarve.

Në anën tjetër, të lënduarit nuk presin mbi 36 orë a më shumë (sa kanë kaluar prej natës së tensionuar të 31 korrikut) për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Por, më e rëndësishmja, pse ministri Sveçla kishte shifra tjera e Policia shifra tjera? Përgjigjja mungon, ashtu siç mungoi edhe në pyetjen se pse nuk ishin raportuar në Raportin zyrtar 24-orësh të Policisë si herët e tjera, sulmet e serbëve në drejtim të njësiteve policore.

Aksidenti që Policia s’e pa... e as Agim Bahtiri

Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Luljeta Zhubi, do të deklarohej për media mbrëmjen e 31 korrikut për t’u përgjigjur se a kishte njerëz të lënduar nga ajo që po ndodhte në veri të Kosovës.

“Tre persona janë ardhë me lëndime nga aksidenti i komunikacionit në afërsi të Jarinjës... Ato ishin lëndime nga aksidenti i komunikacionit”, kishte thënë ajo.

Pra, asnjë person nuk ishte lënduar nga ajo që po ndodhte në veri. As tre, as dy, as një deri në atë moment. Dhe, deri në atë moment “lajm të rremë” – nëse dëgjojmë vetëm fjalën e autoriteteve – përbënte edhe informimi i drejtë se tre qytetarë ishin sulmuar nga pjesëtarë të strukturave kriminale paralele.

Por fatkeqësisht, drejtoresha Zhubi nuk po e thoshte të vërtetën bazuar në raportin e Policisë së Kosovës, por edhe në fjalët e ministrit Sveçla. Personat në fjalë ishin rrahur dhe nuk ishin aksidentuar.

Asnjë aksident nuk është raportuar nga Policia e Kosovës në atë kohë as në raportin e 1 gushtit por as në raportin e sotëm, të datës 2 gusht.

Ja se si i kundërshton fjalët e drejtoreshës Zhubi, ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, po atë natë . Ju ftojmë ta dëgjoni videon e mëposhtme nga RTV Dukagjini prej minutës 2:52:00.

U kontaktuaZhubi për ta mësuar versionin e saj. Përkundër dalejs së raportit policor, ajo vazhdon të thotë se personat në fjalë janë aksidentuar.

"Atë natën kritike që ka qenë, unë kam thënë, fillimisht ka qenë 3 veta që kanë pasë... ata kanë ardhë me lëndime nga aksidenti i komunikacionit në Jarinjë. Veturën e tyre e ka goditë një kamion, qashtu qysh kanë thanë ata, po ata nuk kanë thanë lëndime trupore nga ndonjë sulm”, tha ajo

Kontaktuam përsëri Agim Bahtirin, ndërkohë, dhe i cili përsëri insistonte që rasti nuk kishte të bënte me aksident.

“Unë kam qenë në terren në Suhodoll. Aty kanë qenë edhe policia, nëpërmjet radiolodhjeve kanë lajmëru se po vijnë disa njerëz në spital prej veriut. Unë kam shku në spital. I kam gjetë në spital. Aty ishin kanë policia, i kam pytë çka ka ndodhë... më treguan. Mua më tregun që u ka dalë dikush me armë të gjata, me maska. Kjo ka qenë ajo çka më kanë njoftu. Mu më kanë tregu që janë ndalu prej këtyre njerëzve dhe janë sulmu prej tyre. Ora ka qenë rreth 7 e 35 minuta. Nuk di unë për aksident”, na tha ish-kryetari i Mitrovicës.

Nuk dihet nëse kjo familje është rrahur apo është aksidentuar, por ajo që dihet dhe është e qartë është se dikush nuk po e thotë të vërtetën.

Përshkallëzim tensionesh?

Qëllimi i deklaruar prapa sjelljes së çuditshme të institucioneve tona sipas Policisë ishte “mos-përshkallëzimi i tensioneve”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të kërkonte prej qytetarëve të vendit që të informoheshin për atë që po ndodhte përmes kanaleve zyrtare. Vetëm përmes kanaleve zyrtare.

Të gjitha mediet kishin raportuar ndërkohë, për personat e sulmuar në veri të vendit. Asnjë qytetar shqiptar s’do t’ia mësynte veriut. ‘Përshkallëzim’ vërehej vetëm te forcat policore, disa prej të cilëve kishin lëshuar muzikë patriotike dhe incizonin veten derisa shkonin për në veri.

Në tjetrën anë, është e zorshme të besohet që raportimet mbi policë shqiptarë të plagosur do të zemëronin po ata që po sulmonin policët shqiptarë të plagosur.

I pyetur nga Nacionalja se çka po ndodhte me çështjen e informacioneve që ndante Policia e Kosovës, dhe nëse kishte ndonjë praktikë për kontrollimin e tyre, ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj u shpreh si vijon:

“Po dëgjoj që ka shumë presion nga Drejtori i Përgjithshëm (Samedin Mehmeti) dhe Ministri (Xhelal Sveçla) që të kontrollohen informacionet që jepen për publikun.”

Meqë u përmend emri i një ministri, dhe meqë ai ministër është pjesë e një partie që strehonte dikur edhe aktivistët e PSD-së së tanishme, ne pyetëm edhe këta të fundit për mundësinë që të kishim përpjekje politike për kontrollim të informacioneve zyrtare nga institucionet tona. Kjo ishte përgjigjja e tyre:

“Ndërhyrja në kontrollimin e informacionit duhet të shihet brenda diskursit problematik të Kurtit dhe deklaratave të tij në natën e ngjarjeve në veri. Fillimisht mediat i shpalli bashkëpunëtore të armikut, me apo pa vetëdijen e tyre. Së dyti, proklamoi që objektiviteti i rrjedhojës së ngjarjeve është vetëm në kanalet zyrtare të qeverisë. Në të parën është sulm direkt ndaj mediave. Në të dytën, është qartazi tendencë për të manipuluar faktet dhe për t'i dhënë kahje opinionit. Këto fenomene nuk janë të ndara nga njëra-tjera. Tendencat autoritare të Kurtit u shpërfaqën vrullshëm kështu. Kushdo kundër meje është armik populli, i mashtruar tinëzisht nga Serbia. Ky lloj diskursi sigurisht që ka nevojë për ndërhyrje politike. Prandaj edhe mund të shohim mospërputhje e mbivendosje informatash.”

Marrë parasysh gjithë sa u tha, a duhet të besojmë atëherë te Policia (lexo Kurti), dhe vetëm te Policia (rilexo: Kurti)?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco