Megjithatë, milionat e Amerikës nuk do ta zbusin krizën energjetike këtë vit

Megjithatë, milionat e Amerikës nuk do ta zbusin krizën energjetike këtë vit

13:00, 28/07/2022

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë nënshkruar të mërkurën në Washington marrëveshjen e programit kompakt të Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit përmes së cilës pritet të investohen mbi 236 milionë dollarë në sektorin e energjisë. 202 milionë do të sigurohen nga qeveria amerikane.

Gazetar: Shkëlqim Ajdini, Syri.net Kosova

Marrëveshja, e cila sipas zyrtarëve të Kosovës, është investimi më i madh që do të bëhet në sektorin energjetik në 40 vitet e fundit u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli Berisha dhe Shefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ishin të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes.

Menjëherë pas nënshkrimit u tha se kjo marrëveshje do të garantojë stabilizim të sistemit energjetik në Kosovë. Këtë e pohoi fillimisht presidentja Osmani, pastaj edhe ministrja Rizvanolli.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se marrëveshja me MCC-në, përbën investimin më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë pas disa dekadash, shkruan Syri.net Kosova

Sipas Osmanit, këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se “ky program do të mundësojë stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, integrimin e burimeve te ripërtëritshme të energjisë dhe përgatitjen e fuqisë punëtore për punësim në sektor të energjisë, me fokus të veçantë tek grate”.

Pavarësisht paralajmërimeve për krizë energjetike në vend, nga SHBA-ja erdhën këto pohime nga Osmani e Rizvanolli për stabilitet të energjisë, pa u zbuluar detaje të tjera.

Por, a do të ketë ndikim të menjëhershëm në stabilizimin e sistemit energjetik në Kosovë kjo marrëveshje?

Dardan Abazi nga INDEP në një prononcim për Syri.net Kosova ka thënë se deklaratat e presidentes Osmani dhe ministres Rizvanolli janë të vërteta, por në planin afatmesëm dhe afatgjatë.

"Deklaratat e Osmanit dhe Rizvanollit se marrëveshja me MCC-në stabilizon sistemin energjetik në Kosovë janë të vërteta, por në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Marrëveshja me SHBA i mundëson sistemit energjetik që të ketë më shumë efikasitet dhe më shumë mundësi të futjes së rpërtërishme në rrjet. Gjithashtu, e zvogëlon nevojën për prodhim të energjisë, sepse pjesa e cila prodhohet si tepricë sidomos gjatë pjesëve të natës dhe kohës kur nuk kemi nevojë për energji mund të depozitohet dhe të ruhet, në mënyrë që sistemit t'i shërbejë atëherë kur ka nevojë", ka deklaruar Abazi.

Mejgithatë, Abazi sqaron se ky projekt nuk mund të realizohet brenda natës dhe në planin afatshkurtë.

“Ky projekt nuk do të ketë ndonjë ndikim të menjëhershëm për këtë dimër dhe potencialisht dimrin e ardhshëm”, është shprehur Abazi për Syri.net Kosova

Dimër i vështirë?

Abazi thotë se marrëveshja me MCC-në është me rëndësi të veçantë, sepse siç thotë ai, ‘ia lehtëson sistemit tonë tranzicionin energjetik”.

Benefitet nga kjo marrëveshje sipas Abazit do të jenë në planin afatmesëm dhe atë afatgjatë.

Sa i përket këtij dimri, Abazi ka thënë se nëse nuk përgatitemi edhe me masa të tjera,  do të jetë një dimër i vështirë.

“Të gjitha sinjalet tregojnë se do të kemi rritje të jashtëzakonshme të çmimit të importit të energjisë elektrike, prandaj nevojitet një veprim i menjëhershëm i Qeverisë me themelimin e fondit për konsumatorët në nevojë me programin për efiçiencë, me investime të menjëhershme në kapacitete prodhuese me bazë të decentralizuar dhe me një reformim të menjëhershëm  të skemës mbështetëse për burime të ripërtërishme”, ka thënë Abazi.

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas marrëveshjes 236 milionë dollarëshe që Kosova e nënshkroi me SHBA-në në Washington. 

Sipas Kurtit, “nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarë, përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Kurti  ka shtuar se “ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë”.

Pavarësisht rëndësisë së kësaj marrëveshje dhe paralajmërimeve për stabilizim të energjisë, duket se ky dimër do të jetë sfidues për qeverinë dhe problem për qytetarët, gjithmonë nëse nuk merren hapat e nevojshëm për t’u përgatitur paraprakisht./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco