Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka publikuar dëmet që i janë shkaktuar zjarrfikëseve nga mosaprovimi i Ligjit të Pagave.
Ai shkroi se në kohën kur Qeveria e tij e kishte miratuar rritjen e pagave në bazë të ligjit, planifikohej rritja deri në 736 euro, nga 430 euro sa është aktualisht.
Haradinaj tha se Qeveria po i hyn në hak secilit që shërben për Kosovën.
Postimi i plotë:
Mbi 900 intervenime kanë kryer zjarrfikësit tanë vetëm në rajonin e Prishtinës, që nga fillimi i këtij viti, e vitin e kaluar mbi 2 mijë intervenime.
Përpos mungesës së stafit, që vërehet më së shumti tani gjatë sezonit veror, nga mosaprovimi i Ligjit të Pagave, ky sektor është dëmtuar mbi 400 mijë euro. Paga bazë e zjarrfikësit vazhdon të mbetet 430€, e me ligj planifikohej të ngritej në 736€, shto kësaj edhe rritjen çdo vit, krahas inflacionit.
Qeveria po i hyn në hak secilit që shërben për shtetin tonë, që rrezikon jetën çdo ditë, për të mbrojtur qytetarët.
© SYRI.net