“Vizitova Selimin dhe pashë bacën Jakup”, Besnik Bislimi s’përmend Thaçin e Veselin

“Vizitova Selimin dhe pashë bacën Jakup”, Besnik Bislimi s’përmend Thaçin e Veselin

22:14, 15/07/2022

Dora e djathtë e kryeministrit Albin Kurti, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi sot ka qëndruar në Hagë, ku ka vizituar vetëm njërin nga të paraburgosurit, siç e ka quajtur mikun e tij, Rexhep Selimi dhe, siç ka shkruar ai, ka parë Jakup Krasniqin.

Zëvendëskryeministri Bislimi, në njoftimin e tij të shkurtër në Facebook, ka thënë se takimi i tij treorësh me Rexhep Selimin i iku si të ishe 30 minuta. 

“Sot vizitova në Haagë mikun tim Rexhep Selimin. Si gjithnjë i disponuar dhe me besim të plote në drejtësi. Edhe pse larg Kosoves, nuk i kishte ikur as edhe një detaj i vetëm nga zhvillimet politike në vend”, shkroi ai.

Në fund të njoftimit, ai theksoi se Jakup Krasniqin, të cilin e quan baca Jakup, e ka parë, me siguri duke hyrë apo dalë gjatë vizitës së Selimit.

“Gjithashtu pashë edhe bacën Jakup që po mbahej jashtëzakonisht mirë”, ka shkruar ai.

Bislimi në njoftimin e tij nuk ka përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, e as ish-krerët e OVL-UÇK, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati. ndonëse që të katër mbahen në paraburgim, në të njëjtin objekt në burgun e Hagës.

Deri tani, i vetmi zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje që ka vizituar të gjithë udhëheqësit e luftës së UÇK-së që mbahen në Hagë, është kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pas kthimit, Konjufca kishte deklaruar se kishte rastin që t’i takonte të gjithë, duke filluar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-krerët e OVL-UÇK, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati.

“Janë mirë me shëndet dhe të fortë me vullnet”, kishte deklaruar Konjufca.

Muaj më parë, një vizitë e kërkuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte refuzuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Pas kthimit, Haxhiu kishte thënë se nuk i di arsyet pse ishte refuzuar.

‘’Nuk mund t’i di, as nuk mund të paragjykoj. Me të thënë të drejtën as nuk jam duke e menduar se pse nuk i kanë pranuar institucionet. Është në vullnetin e tyre dhe le ta bëjnë publik ata qëndrimin kurdo që e bëjnë’’, ishte shprehur ministrja në një intervistë për transmetuesin publik.

Për më tepër, ajo kishte deklaruar se nuk kishte ndryshuar qëndrim ndaj Thaçit dhe Veselit.

”Dallimet e mëdha politike që i kemi me PDK-në, qëndrojnë. Unë kam bërë kërkesë për vizitë sepse e kam obligim, ato qëndrojnë mirëpo nuk e kam ndërmend ato dallime që i kemi t’i vazhdoj me këta (Thaçin dhe Veselin). Sepse nuk do të ishte fer me u marrë me dikënd që po përballet me një situatë të vështirë”, kishte theksuar ajo. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco