Policia bëhet gati për protesten e sotme të veteranëve

Policia bëhet gati për protesten e sotme të veteranëve

07:47, 16/06/2022
Beteja e veteranëve të UÇK-së me Qeverinë në përpjekjen e tyre për t’u përfshirë në projektligjin që përcakton pagën minimale, duket se nuk ka përfunduar ende.

Në 09:30 veteranët kanë planifikuar mbajtjen e një “proteste gjithëpopullore” para Kuvendit dhe Qeverisë. Të indinjuar që deputetët të martën miratuan në parim projektligjin për caktimin e pagës minimale i cili i mënjanon ata, veteranët kanë paralajmëruar dalje masive në protestën e sotme.

Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka njoftuar në Facebook se do të ketë organizim me autobusë në mënyrë që protestës t’i bashkohen veteranët nga i gjithë vendi.

Çfarë është paralajmëruar?

Nga kryesia dhe degët e OVL-së, ndërkaq, nuk e përjashtojnë aspak mundësinë e eskalimit.

Kryetari i degës së OVL-së së UÇK-së në Drenas, Enver Hajdari tha se “çkado që ndodh, le ta mbajë përgjegjësinë qeveria aktuale që sot është në pushtet”.

“Ne po mundohemi që kontrolla mos të na dalë jashtë kontrollit dhe të ketë dalje masive. Është një e drejtë e jona të protestojmë, sepse qeveria ka bërë përjashtim”, tha ai.

Pak a shumë të njëjtën gjë e paralajmëroi edhe Metush Kryeziu, anëtar i Kryesisë së OVL-UÇK-së

“Sipas informatave që i kam, të gjitha degët janë duke punuar në terren. Ta shohim situatën. Mirëpo kjo përgjegjësi i bie Qeverisë çkado që do të ndodhë”, tha ai.

I pyetur se çka mund të ndodhë në protestë, Kryeziu tha:

“Ta shohim. Në ato rrethana mund të eskalojë edhe situata sepse veteranët janë në gjendje të rëndë”.

Policia është përgatitur

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë marrë masat e nevojshme dhe se janë takuar me përfaqësues të OVL të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes.

“Policia e Kosovës me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar sipas ligjit mbi tubimet publike nga Veteranët e UÇK-së, ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore. Sot, më 15.06.2022, zyrtarë nga PK-ja, kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Organi i rendit bëri thirrje për protestë të qetë.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik. Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit / protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet në njoftim.

Sipas procedurave të parapara, Policia tha se “do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës”.

Çfarë ndodhi para një jave

Më 6 qershor, një seancë e Kuvendit dështoi të mbahej normalisht, pasi veteranët kishin hyrë në oborrin e institucionit më tëu lartë ligjvënës të vendit dhe kërcënonin të futeshin brenda.

Pika e parë e asaj seance ishte e papranueshme për ta. Veteranët u ndjenë të indinjuar që Qeveria i la jashtë projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale. Mazhoranca i kishte numrat e nevojshëm për ta miratuar këtë projektligj, por nuk pati kuorum për miratim.

Një kordon i policisë u pozicionua shpejt para Kuvendit, ndërsa në hyrje policët u bënë grumbull për të mos i lënë veteranët të futen brenda.

Objekti i Qeverisë së Kosovës u rrethua po ashtu nga forcat e Policisë, pasi protesta eksaloi në anën tjetër.

Autoblindat e Policisë u panë nëpër rrugët e Prishtinës, teksa shkonin te Kuvendi, ku veteranët tashmë ishin futur në oborr.

Për t’i qetësuar protestuesit, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha doli te dera e Kuvendit.

Berisha kërkoi që veteranët të mos i dëmtojnë institucionet dhe të mos i prekin policët.

“Ju keni të drejtë në çdo gjë, por një duhet ta dini, se këto institucione, këto institucione, ai bar që po e shkelni, këto pemë, këta policë janë tonat. I kemi bë ne. Janë si rezultat i gjakut tonë. Janë si rezultat i gjakut të dëshmorëve. Prandaj ne duhet t’i mbrojmë, jo t’i lëndojmë. Mos gaboni me dëmtu kurrgjë, asnjë pemë që është në këtë oborr, e ruana Zot me e prekë institucion”, tha ish-komandanti i UÇK-së.

Por ky projektligj që parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht, u miratua në lexim të parë të martën.

PRO këtij projektligji votuan 68 deputetë. Në votim morën pjesë edhe deputetët e Listës Serbe – gjë që ngjalli shumë reagime nga veteranët – ndërsa gjashtë të tjerë abstenuan.

Në këtë seancë nuk mori pjesë PDK-ja, ndërsa LDK-ja qëndroi në sallë por nuk votoi.

Pas miratimit të këtij projektligji, në një konferencë për media, kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, fajin ua la qeverive të mëhershme.

Ajo tha se ndarja e pensionit të veteranit është bërë në vitin 2016.

Kryeministri Albin Kurti iu gëzua miratimit të këtij projektligji.

“Lajm i mirë për qytetarët që sot Kuvendi i Republikës miratoi në lexim të parë ligjin për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plot 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publik përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po e rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”, shkroi Kurti.

Por ky votim mund t’i kushtojë me një deputet më pak në grupin parlamentar Vetëvendosjes së tij. Deputeti Fatmir Humolli doli nga salla i nervozuar pasi kolegët e tij i ngritën duart për ta miratuar projektligjin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco